Korrupsioni rrezik për ekonominë, Dhoma Amerikane: Hetim zyrtarëve të përfshirë në aferat e Prokurimeve Publike
Niveli i lartë i korrupsionit mbetet problemi kryesor që kërcënon të ardhmen ekonomike të vendit. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço tha se investitorët e huaj kanë shfaqur mungesë besimi. Ai paralajmëroi sanksione për zyrtarët e përfshirë në afera korruptive.
Niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri vijon të rrezikojë ecurinë ekonomike të vendit.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço u shpreh se kjo situatë në vend ka sjellë një mungesë besimi nga ana e investitorëve të huaj.
“Kemi vënë re një mungesë besimi të shtuar të biznesit, të shoqërisë civile dhe të investitorëve për klimën e bizneseve.”
Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu shqetësim edhe për procedurat e tenderave.
“Operacionet transparentë sipas standardeve open data që janë shumë të rëndësishme në këtë rast, përmirësimin e prokurorimeve publike sidomos sistemit të prokurimeve publike me mekanizma llogaridhënës.”
Jaço paralajmëroi se do të ketë sanksione për të gjithë zyrtarët e përfshirë në afera korruptive.
“Në radhë të parë kemi krijuar një mekanizëm të ndryshëm për të krijuar një program mbi luftën për korrupsionin, që përfshin sanksione për zyrtarët e lartë ose të mesëm që përfshihen në korrupsion.”
Bizneset po përballen me sfida të shumta që kërkojnë një vëmendje të shtuar dhe strategji për tërheqjen e investimeve të huaja në kushtet e pandemisë që ka prekur sistemin ekonomik brenda dhe jashtë Shqipërisë.