Ja kush janë të shpallurit në kërkim për përplasjen me armë në mes të Vlorës

Sali Zenelaj, nga një fshat i Vlorës dhe Klemend Dautaj, të dy miq të viktimës Taulant Manaj, rezultojnë të jenë shpallur në kërkim nga policia, për përplasjen me armë mes dy grupeve në Vlorë, në datën 3 mars 2021, ku mbeti i vrarë Taulant Manaj.

Burime pranë policisë thanë për Ora News, se Sali Zenelaj, ka qenë njeriu që ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit “Ford-Fiesta”, ndërsa më pas Zenelaj, është larguar me shpejtësi me një “Audi A3” që besohet se drejtohej nga Klement Dautaj, që tashmë edhe ky është shpallur në kërkim policor.

Lexo me shume: Atentati në Vlorë pas sherrit për benzin 35 mijë euro

Nga verifikimet e kryera rezulton se Dautaj, është dënuar nga gjykata e Vlorës për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Për këtë ngjarje kriminale ku mbeti i vrarë Taulant Manaj, rezultojnë 4 persona të shpallur në kërkim, përfshirë këtu dhe dy autorët e vrasjes së Manaj, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani. Ndërsa personi i vetëm i arrestuar është Hansi Jonuzaj, i cili rezulton të ketë qenë shoferi i “Ford-Fiestës”, ku hipën autorët e vrasjes dhe u larguan.

Në përplasjen me armë të datës 3 mars 2021 në rrugën “Transballkanike” në Vlorë, rezultoi se të dyja palët ishin të pajisura me armë, dhe duket se ishin përgatitur për një sulm të tillë. Në makinën tip “Ford-Fiesta” të autorëve, është gjetur një armë zjarri automatik, por sipas burimeve të policisë vrasja e Manaj është realizuar me një armë tjetër, që nuk është gjendur brenda në automjet.

Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Manaj në Vlorë javën e kaluar dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për rreth 35 mijë euro. Viktima që njihej edhe me mbiemrin Beqiri dyshohet se kishte detyrim ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip Benz-Mercedez, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.

Në pamjet filmike që ka sekuestruar policia, rezulton se pas të shtënave me automatik, të dyja palët janë larguar me shpejtësi me qëllim për të mos u kapur nga policia.