Rrëshqitja rrezikon pallatin në Lezhë, banorët përplasen me ndërtuesin: Po na rrezikohet shtëpia
Banorët e një pallati në Lezhë thonë se ndjehen të kërcënuar në banesat e tyre për shkak të rrëshqitjes së dherave për shkak të gërmimeve në kuadër të projektit të rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.
Banoret e një pallati në lagjen "Besëlidhja" në qytetin e Lezhës janë vënë në alarm nga frika e shembjes së objektit ku banojnë.
Shkak për këtë situatë, thonë se janë bërë punimet që po kryhen në kuadër të programit të rindërtimit.
Gërmimet për hapjen e gropës ku do të rindërtohen pallatet kanë sjellë rrëshqitje dherash në anën jugore.
Problematika e shfaqur prej disa ditësh ka agravuar me nisjen e reshjeve të shiut dhe gërryerja e tokës i është afruar themeleve pallatit.
Banorët shprehen mjaft të shqetësuar për situatën e krijuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur rrezikun.
“Që kur filloi shembja me rastin e tërmetit, ne gëzuam se do të hapej një lulishte. Gëzimi mbeti në një fashitje dhe zbehje. Jemi shumë të rrezikuar, se i kemi thënë këtyre zotëninjve që trotuaret të mos i prekin se do na shembet pallati.”
Por përfaqësues të firmës që po zbatojnë projektin, thonë se ndërhyrjet po kryhen mbi bazë të studimit gjeologjik dhe nuk përbëjnë rrezik për pallatin.
“Është bërë studimi gjeologjik i zonës dhe gërrmimi është bërë sipas studimit, sipas të gjitha kushteve teknike të sigurisë."
Por banorët e pallatit nga ana tjetër mbeten të shqetësuar.



