13 vjet më parë, në Kosovën e Lirë
E diel, mëngjes, hallat, xhaxhallarët dhe komshinjtë ishim mbledhur në një odë të madhe, ndërsa antenën e ndryshkur të televizionit e kishim drejtuar nga Kosova dhe po ndiqnim RTK-në.
Burrat ishin ulur në tokë, këmbëkryq, me ca raki e pastërma përpara, e gratë në divane rreth e rreth oxhakut, e për çudi as ne, fëmijët, nuk na u dëgjonte zëri, si rrallëherë më parë.
Në dritaren me dru, e të vjetër të odës, shihej qarte kodra pak kilometra larg e cila ndante Shqipërinë me Kosovën, dhe në majë të saj gërmadhat e mbetura te bazës serbe që ishte goditur nga NATO, në 1999, qëndronin po aty, prej 9 vitesh, ende qëndrojnë.
Jashtë bënte ftohtë, dëbora kishte zbardhur te gjithë fshatin, ndërsa veç tymit të oxhaqeve nëpër shtëpi, asnjë këmbë njeriu nuk lëvizte më, ishin mbyllur të gjithë brenda dhe po ndiqnim televizionet e Kosovës, pasi asnjë televizion shqiptar nuk kapte valë, në fshatin tonë të largët, e të lidhur ngushtë me Gjakovën.
Rreth orës 7:00 të mëngjesit, dëgjohen zëra burrash në oborr, ishin bashkëfshatarët që po mblidheshin, për të ikur në Gjakovë, ndoshta në Prishtinë, sot e asaj dite nuk e mora vesh se ku.
“Duhet të shkojmë në Kosovë”- dëgjoheshin burrat.
“Nga t'i biem?”
“Nga Godeni”-thonë ata.
Godeni është fshat i Gjakovës, ngjitur me fshatin tonë, Dobrunë, dhe qe ka dhënë dhjetëra martirë, të gjithë djemtë e fshatit u dogjën në Luftë nga forcat serbe, dhe kufiri u mbyll përgjithmonë me disa piramida të vendosura në rrugë sot e asaj dite. E ne nuk guxonim të shkonim më Kosovë nga pika jonë kufitare, sepse UNMIK-i patrullonte vazhdimisht.
“Po, po, nga Godeni, sot do ta thyejmë Kufirin, për herë të parë ndoshta, ndoshta dhe jo, por sot hapur fare”- dëgjohen zëra nga jashtë.
Burrat nisen, sigurisht si 13-vjeçar që isha, me thoshin se fëmijët duhet te rrinë në shtëpi.
Gratë në odë, janë gjithë sy e veshë nga TV, mes një gëzimi që shihej qartë në fytyrat e tyre, dhe një frike ndoshta, pasi ishin lajmëruar edhe trazira në Kosovën, qe na ndanin pak kilometra nga ajo.
Vargu i makinave shihej për herë të fundit, në pikën ku ndan dy vendet tona, njërin të lirë, e tjetrin sapo po behej plotësisht i lirë.
Fill pas lufte, ne kishim qenë në Gjakovë, si fëmijë i vogël, nuk mbaj mend shumë, por kurrë nuk më hiqej nga mendja një qytet i rrënuan para meje, ku mbizotëronin tullat e kuqe, me të cilën ishte ndërtuar pjesa me e madhe e atij qyteti historik. Kishim shkuar këmbë, nëpër male, shkonim shpesh në fakt, sepse gjysma e fisit tonë kishte mbetur andej, që kur u mbyll kufiri disa dekada më parë.
Atë ditë shikoja për herë te parë, makina që po ikin ne Kosovë, nga rruga që ishte e ndaluar për ne, edhe pse ishte bash në fshatin tonë, që luftën e fundit e kishte përjetuar në çdo qelizë, dhe në çdo familje.
“Shpall Kosovën, shtet të pavarur dhe sovran”- u dëgjua nga Televizioni, Hashim Thaçi, plotë emocione.
Në dhomën tonë, një kushërirë jona, qan me dënesë, mbi 30 vjet nuk i kishte parë vëllezërit dhe prindërit e saj, pasi kur u mbyll kufiri ajo kishte qenë në Shqipëri, tek të afërmit e saj, e këtej kishte ngelur përgjithmonë, dhe familjen e saj i kishte takuar veç pas luftës.
Ajo ishte më e emocionuara, më e gëzuara, më e vrara, më e trishtuara dhe më e lumtura nga të gjitha, me të drejtë, sepse nga ai moment, vendi i saj, toka e saj, shtëpia e vajzërisë se saj ishte e lirë.
Në darkë vonë, dëgjohen boritë e makinave, erdhën burrat e fshatit, andej nga kishin shkuar, tani po ktheheshin.
A mund ta besonim, shkuan në një vend që para pak vitesh veç mund ta ëndërronin, shkuan ne një tokë ku gjaku ende nuk ishte tharë, shkuan në një vend të okupuar, e të ndarë padrejtësisht, dhe po ktheheshin duke lënë pas atë vend te lirë, e të pavarur, të bukur si kurrë më parë në lartësinë që moti e kish merituar.
Ky ishte 17 shkurti 2008, i mbetur në memorien e një fëmijë aso kohe 13 vjeç, sot shumë më i rritur, e që e sheh atë vend duke u rreshtuar krah çdo vendi tjetër në një botë të lirë, e demokratike!