"Urime VV! Do jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtë me qeverinë e re të Kosovës" Basha uron Albin Kurtin


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka uruar Albin Kurtit fitoren në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Përmes një postimi në facebook ai e ka cilësuar procesin zgjedhor si një “model demokracie për mbarë rajonin”.

Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona.

Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarte europiane, model demokracie për mbarë rajonin.

Deri tani janë numëruar 1,467,337 apo 81,75 për qind të votave deri më tani dhe Vetëvendosje po prin me 47,94 për qind.