Nis lëvizja e mjeteve në Qafë Thanë, mjetet e vogla shoqërohen me borëpastruese
Ora 09:06 Ka nisur lëvizja e mjeteve në Qafë Thanë. Deri tani kanë kaluar 3 autobusë ndërsa mjetet e vogla shoqërohen me borëpastruese.
Ora 08:00 Aksi Qafë Thanë-Doganë vijon ende të jetë problematik. Pavarësisht punës që është bërë gjatë natës është hapur vetëm një korsi por kalojnë vetëm mjete 4x4.
Në doganë ka ende mjete të vogla që presin të kalojnë. Sot në mëngjes vijon ende stuhia e dëborës.
Ndërkohë që policia është stacionuar në zonë duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve pasi është e rrezikshme.
Mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur me njerëzit që ishin mbrëmë në doganë, nëse janë kthyer në Strugë apo jo. Vijon puna, por stuhia e bën të vështirë.
E gjithë kjo situatë ka nisur prej orës 14:00 të ditës së djeshme, 14 shkurt.
Si pasojë e erës dhe borës, është krijuar një shtresë prej 1.5 metra borë.
"Te rrethrrotullimi është një kthesë e quajtur kthesa e Tetovarit, ka pasur erë të fortë që ka mbledhur të gjithë borën duke bllokuar mjete aty" raporton gazetarja e Ora News, Iris Rezhda.
Radha e mjeteve të bllokuara arrinte në 2 km.
Akset e tjera nacionale në juglindje të vendit janë të kalueshme por lëvizja bëhet me zinxhirë.
Ndërkohë Panariti vijon të jetë i bllokuar nga bora prej një muaji. Trashësia e borës ka arritur mbi 2 metra, duke e bërë të pamundur edhe ndërhyrjen e borëpastruesve. Në rast emergjencash mjekësore, banorëve mund tu vihet në ndihmë vetëm me helikopter.
Zona e Mokrës në Pogradec me disa fshatra gjithashtu janë të bllokuara, pasi trashësia e borës arrin në 1 metër.
Bllokimi nisi të dielën, 14 shkurt
19:00 - Aksi Qafë-Thanë drejt doganës së Maqedonisë vazhdon të jetë i bllokuar prej gati 8 orësh.
Dhjetëra automjete që presin të kalojnë në dy senset e rrugës. Shkak është bërë stuhia e dëborës dhe prania e madhe e saj në rrugë.
3 mjete që janë braktisur nga drejtuesit janë bërë tjetër shkak për këtë bllokim.
Pritet ndërhyrja me mjete të vogla borëpastruese për të lëvizur 3 mjetet dhe më pas të vijojë heqja dëborës.
Situata është mjaft e vështirë në radhë presin gra e fëmijë mes tyre edhe shtatzënë.
Tek kthesa e Tetovarit dëbora arrin 1.5 metër si pasojë e erës së fortë.
Lexo edhe:
Shqipëria “ngrin” pas borës, akull në rrugët kombëtare, bllokohen zonat malore
17:00 - Rrëshqitja e një autobusi dhe një kamioni ka sjellë bllokimin e Faqës së Thanës.
Si pasojë e rrëshqitjes ka pasur trafik ne këtë zonë ku më tepër se 2 orë asnjë makina nuk mundet të lëvizë.
Trafiku bën që për borëpastruesen të jetë e pamundur për të shkuar në krye të zonës problematike.
Aksi që të çon në këtë doganë është bllokuar pasi tek zona e quajtur "kthesa e tetovarit" ku era ka grumbulluar mbi 1 m borë.
Ndërkohë, radha e mjeteve i kalon 2 km dhe situata është mjaft problematike.

