Moti i keq kaplon vendin, MM jep njoftimin: Aksi Milot-Lezhë nis qarkullimin e mjeteve, evitoni lëvizjet jo të domosdoshme
Ministria e Mbrojtjes ka informuar në lidhje me situatën e krijuar orët e fundit në vend për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Në njoftim thuhet se ka nisur pas shumë orësh qarkullimi në aksin Milot Lezhë, ndërkohë që ka pasur edhe një bllokim në aksin Elbasan-Librazhd.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Forcat e Armatosura janë në gadishmëri, teksa i bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme.
Më poshtë njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
I gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore. Si rezultat i reshjeve të borës në disa qarqe të vendit kemi pasur problematika në disa akse rrugore.
Ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.
Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.
Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.
Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Aktualisht trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.
Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.
Lexo edhe: Bora bllokon rrugën Lezhë-Milot, dhjetëra makina prej orësh në pritje, policia këshillon të përdorin rrugën e vjetër