Edhe 50 shtretër të lirë në Tiranë, drejt ezaurimit kapacitetet në 4 spitalet Covid
Në katër spitalet Covid në Tiranë ndodhen të lirë më pak se 50 shtretër. Për shkak të rritjes së numrit të infektimeve dhe shtimit të nevojës për trajtim spitalor kapacitetet po shkojnë drejt ezaurimit. Të premten Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 1 mijë e 59 të prekur me Covid-19 dhe 14 vdekje.
Në katër spitalet e dedikuara për trajtimin e pacientëve me koronavirus, kapacitetet janë drejt ezaurimit.
Të lirë janë më pak se 50 shtretër, nga 550 që kanë në total këto struktura.
Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë në spitalet Covid në Tiranë ndodhen nën kujdesin e mjekëve 502 pacientë, nga të cilët 33 në terapi intensive.
Fluksi i pacientëve me të cilën po përballen bluzat e bardha është pasojë e rritjes shqetësuese të infektimeve.
Në 24 orët e fundit autoritetet shëndetësore testuan mbi 3 mijë e 900 persona nga të cilët 1 mijë e 59 rezultuan mbartës të virusit.
Mes të infektuarve janë ambasadoret e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Suedisë. Lajmin e kanë publikuar vetë ato në rrjetet sociale ku thanë se do të vijojnë ushtrimin e detyrës nga shtëpitë, ku ndodhen të izoluar.
Të premten, mjeku i njohur Pëllumb Pipero u dha fund aludimeve se kishte shkuar për kurim në Itali.
Ai njoftoi se është çliruar nga virusi dhe po qëndron në Shkodër për pak ditë pushim dhe rikuperim.
Për fat të keq të premten 14 pacientë të moshave 40 deri në 82 vjeç u dorëzuan përballë virusit vdekjeprurës duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 1 mijë e 531 prej fillimit të pandemisë.
LEXO EDHE
Covid-19/ 14 viktima dhe 1059 infektime në 24 orët e fundit, spitalet të tejmbushur