Mutacioni i ri, Bino: Kemi sinjale dhe të dhëna laboratorike, por nuk përcaktojmë dot se çfarë është

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino për Ora News ka thënë se për momentin nuk mund të diferencohet dot mutacioni i ri.

Bino ka thënë se për momentin po priten përgjigjet nga laboratori britanik, teksa shton se po forcohen kapacitetet për këtë çështje.

Bino: Nuk diferencojmë dot në laboratorin tonë se çfarë lloj mutacioni është. Kemi sinjale dhe të dhëna laboratorike që kemi të bëjmë me një mutacion, por nuk mund të përcaktojmë dot se çfarë është. Kemi të dhëna epidemiologjike në lidhje me transmetueshmërinë, në lidhje me riinfektimet, në lidhje me rastet te moshat e reja, në lidhje me format e rënda te këto mosha apo format e rënda te fëmijët, që janë indikatorë të këtyre mutacioneve në bazë të të dhënave që kemi dhe nga kolegët e vendeve të tjera.

Natyrisht që do të presim përgjigjet që do të vijnë nga laboratori britanik dhe pastaj do të shikojmë se çfarë do të kthyet. Për momentin këto janë mjetet tona. Natyrisht ne po i forcojmë kapacitetet në lidhje me këtë duke përdorur edhe një metodologji tjetër, por jemi në këtë moment. Masat janë të njëjta. Qarkullimi i këtyre viruseve me transmetueshmëri më të lartë duhet të na bëjë të përgjegjshëm.

Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.