Provimet edhe në auditore, sezoni zgjat 45 ditë, falen mungesat
Nëse disa provime nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikës së lëndës atëherë ato mund të kryhen në auditore. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, lajmëroi drejtuesit e universiteteve që të tregojnë në kujdes në respektimin e protokollit anti-Covid por po ashtu këshilloi që 130 mijë studentët të mos penalizohen për mungesat në mësimin online.
Ministria e Arsimit dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk kanë pranuar rikthimin e studentëve në auditore, por toleranca do të jetë te provimet,
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njoftoi se në disa prej lëndëve specifike testet mund të zhvillohen në auditore.
Edhe në këtë rast masat për parandalimin e koronavirusit do të jenë strikte dhe detyra iu është ngarkuar drejtuesve të universiteteve.
Janë 130 mijë studentë që duhet ti nënshtrohen provimeve ndaj për t`ju dhënë mundësi të përgatiten Kushi sugjeroi zgjatjen e sezonit të provimeve deri në 45 ditë.
Mësimi online ka sjellë shpesh ankesa dhe denoncime për mungesën e pjesëmarrjes në leksione apo seminare.
Në këtë rast Ministrja e Arsimit u kërkoi pedagogëve që të mos penalizojnë studentët për pjesëmarrje për shkak të mungesave.
Kërkesat e Ministres së Arsimit për Universitetet
- Së pari, në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet “online”, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve anti-COVID;
- Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për t’i dhënë të drejtën studentëve të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon, në varësi të mundësisë apo pamundësisë të tyre për arsye që lidhen me pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon, t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë;
- Së treti, sugjerojmë që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve. Kjo do t’i ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur në këto provime;
- Së katërti, sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret “online” të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrje në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur një pjesë e studentëve gjatë kësaj periudhe;
- Së pesti, e konsideroj shumë të rëndësishme të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj garantimin e kushteve për të minimizuar riskun e infektimit për studentët, pedagogët dhe të gjithë stafet universitare. Kjo nënkupton që:
- Ndarja e studentëve të bëhet në grupe dhe orare të ndryshme;
- Numri i studentëve në sallë të jetë jo më shumë se 15 veta, duke garantuar distancën e nevojshme;
- Kohëzgjatja e provimeve të jetë jo më shumë se një orë,
- Mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme;
- Higjenizimi i mjediseve të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe sidomos për sallat, para dhe pas çdo provimi.