Apeli i Metës: Me 25 prill të distancohemi nga njerëzit që kanë probleme me ligjin

Presidenti Ilir Meta dha nga Korça arsyet pse zgjedhjet e 25 qershorit nuk i konsideron të zakonshme, por një referendum popullor që për nga rëndësia e krahason me atë të vitit 1994.

Për Kreun e Shtetit, shqiptarët do të votojnë për ti hequr vendit pengesën kryesore të integrimit dhe kundër shpopullimit.

Meta: Në 25 prill duhet hequr pengesa kryesore e kësaj të ardhmeje europiane të popullit shqiptar. Në 25 prill shqiptarët do të votojnë kundër shpopullimit.

Nga forcat politike kërkoi që të mbajnë larg listave të kandidatëve për deputetë persona që janë subjekt të ligjit të dekriminalizimit.

Meta: Nuk dëshiroj të hyj në detaje për këtë çështje. Fakti që ne e kemi bërë një ligj për dekriminalizimin, tregon që ky ka qenë një problem serioz i politikës sonë, i Kuvendit, i pushtetit vendor dhe i niveleve të tjera të qeverisjes. Është e domosdoshme, që në 25 prill, të tregohet një vullnet nga të gjitha forcat politike, mbi të gjitha nga vetë qytetarët shqiptarë, për t’u distancuar nga figurat, të cilat nuk e përfaqësojnë interesin e tyre më të lartë publik dhe që kanë ato probleme, që janë të qarta në ligjin e dekriminalizimit. Partitë duhet të jenë gati, për figura me integritet dhe me besimin e plotë të qytetarëve.

Pa i përmendur asnjëherë emrin apo postin që mban, Edi Ramës i dërgoi mesazhe të forta.

Për çështjen e detit me Greqinë, theksoi se qëndrimet personale nuk përfaqësojnë Shqipërinë.

Meta:Nuk kam asnjë koment, përveç faktit që ne kemi një vendim të veçantë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe të gjitha autorizimet janë dhënë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim individual nuk përfaqëson Republikën e Shqipërisë.

I bindur është edhe për rezultatin.

Meta: Si mund të humbasë e ardhmja europiane e Shqipërisë?!

Presidenti i bëri komentet pasi ndoqi një seancë të dhurimi gjaku pranë Myftinisë së Korçës, ndërsa pas vizitës në Mitropolinë Ortodokse theksin e vuri tek pronat e komuniteteve fetare.

Meta: Pengesa kryesore është vetëm korrupsioni, asgjë tjetër.