Kujdes nga mesazhet në WhatsApp! Hakerat rus dhe amerikanë po vjedhin llogaritë personale në aplikacion

Prej ditësh qindra qytetarë kanë rënë pre e vjedhjes së të dhënave personale nëpërmjet llogarisë së  “WhatsApp”. Ata ndërhyjnë tek numrat e të afërmeve dhe iu kërkojnë një numër që mbërrin në telefon ndërsa më pas llogaria personale mbyllet. Ekspertët kundër krimit kibernetik apelojnë qytetarë që të mos i përgjigjen këtyre mesazheve pasi virusi ka marrë përhapje të gjerë.

Policia e Shtetit reagoi me një deklaratë publike lidhur me denoncimet e qindra qytetarëve që ditët e fundit kanë rënë pre e vjedhjes së të dhënave personale nëpërmjet mesazheve telefonike dhe aplikacionit  “WhatsApp”.

"Bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” dhe më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin “WhatsApp” nga persona të paautorizuar.

Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “WhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “WhatsApp” duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim".

Në llogarinë personale të përdoruesve të këtij aplikacioni, ose në numrin telefonik mbërrin një mesazh automatik në gjuhën shqipe, i përkthyer me google translate, që i kërkon përdoruesve një kod që mbërrin në numrin e telefonit si mesazh i thjeshtë.

Ata përdorin numrat personal të të afërmeve, dhe iu kërkojnë në mënyrë urgjente që ti nisin kodin e mbërritur si mesazh telefonik.

Shumë qytetarë kanë rënë pre dhe e dërgojnë këtë mesazh, ndërsa pak sekonda pasi i përgjigjen këtij mesazhi në  “WhatsApp”, atyre u mbyllet llogaria dhe keqbërësit përdorin të dhënat personale të vjedhura.

Burime nga policia bëjnë me dije se këta persona që kanë hartuar këtë platformë hakerimi janë shtetas amerikanë dhe rus.

Ditët e fundit pjesë e kësaj skeme mashtrimi kanë rënë pre dhe dhjetëra punonjës të medias, të cilëve iu është bllokuar llogaria.

Njësia C e krimit kibernetik apelon qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre mesazheve, ndërsa në rast se ndodh ata duhet të presin të paktën 2-3 ditë më numrin e telefonit të fikur dhe më pas duhet tentuar që të rikthehet llogaria.

Policia publikoi edhe një listë masash që qytetarët duhet të aplikojnë për të mbrojtur të dhënat e tyre.

Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë rigorozisht rregullat si më poshtë:

➢ Asnjëherë mos ndani kodin tuaj gjashtëshifror me një person tjetër;

➢ Vendosni mënyrën e verifikimit me 2 hapa;

➢ Mos ndani informacionin tuaj personal me asnjë person tjetër;

➢ Bëni kujdes nëse merrni telefonata nga biznese apo persona të panjohur;

➢ Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju.

Ekspertët kanë nisur kontaktet me selinë e kompanisë  “WhatsApp” në mënyrë që edhe ata të ndihmojnë në konstatimin dhe mbrojtjen e përdoruesve nga ky sulm kibernetik.

Gjatë vitit të shkuar, ku policia referoi në prokurori mbi 220 raste të vjedhjes së të dhënave nëpërmjet sistemeve kompjuterike.