Kim rikujton shpalljen "non grata" të Tom Doshit: Shqiptarët meritojnë më shumë

Pak ditë pasi apeloi publikisht te partitë politike që të shmangin kandidimin  e personave problematikë me ligjin në zgjedhjet e 25 Prillit, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim rikujton deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit për deputetin e mazhorancës Tom Doshi.

Përmes një postimi në Twitter, diplomatja amerikane shprehet se teksa vendi po i afrohet zgjedhjeve parlamentare, deklarata e DASH duhet rikujtuar.

Sipas Kim, shqiptarët meritojnë përfaqësim më të mirë.

"Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky njoftim, i bërë nga Sekretari Amerikan i Shtetit pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacioneve të marra. Sigurisht, votuesit shqiptarë meritojnë më shumë se kaq", shkruan ambasadorja Kim.

Në prill 2018 Shtetet e Bashkuara i ndaluan hyrjen në SHBA Tom Doshit dhe familjarëve të tij.

Në vendimin e DASH thuhet se, “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u përfshi në një përplasje publike me ambasadoren amerikane teksa u shpreh se partitë politike nuk janë polici dhe salla torturash.

Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim, është përgjegjësi individuale jo partie!”, do të shprehej Rama.

“Partitë nuk janë drejtori policie, por verifikojnë sipas ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Nuk kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive, nëse dikush fsheh diçka”, shtoi më tej kryeministri.

Lexo edhe:

“Mos kandidoni kriminelë”, Rama i përgjigjet ambasadores amerikane: Nuk jemi drejtori policie

/a.r,OraNews