Mes mjerimit/ Familja Karaj me tre invalidë iku nga çadra dhe u strehua në shtëpinë e rrënuar

Varfëria është ulur këmbëkryq në familjen e Zija Karajt në Baldushk të Tiranës. Me tre djemtë e sëmurë dhe me shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti, kryefamiljari bën thirrje për ndihmë.

Në këtë shtëpi në Baldushk, që pritet të shembet nga dita në ditë dhe në varfëri ekstreme, jetojnë 5 anëtarët e familjes Karaj.

Aty nuk ka asgjë, edhe ato pak orendi pothuajse janë të shkatërruara.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit familja e Zija Karajt ka jetuar në çadër por reshjet e shiut i kanë detyruar të rifuten në shtëpinë e pabanueshme.

"Është e pabanueshme, këtu nuk rrihet. Nuk kemi ku të shkojmë, vetëm në çadër dhe këtu."

"Shtëpia është kryesorja, po nuk pate shtëpi nuk ke jetë."

Sikur mos mjaftonte varfëria tre djemtë e shtëpisë janë me probleme shëndetësore.

"Po pate fëmijë sëmurë nuk ka më vështirë, do të vuaj sa të kem jetë."

Kjo familje jeton me frikën e shembjes së shtëpisë në çdo moment dhe e vetmja shpresë mbetet një mrekulli nga Zoti.

"Shpresojmë te Allahu."

Dhe pse kryetari i njësisë administrative u premtoi se janë të parët në listë për rindërtimin e shtëpisë, ka kaluar më shumë se një vit dhe ende nuk është bërë asgjë.

"Llafe të mira, më kanë thënë që je i pari në listë. Unë nuk kam dalë as nga fundi. Po bëjnë shtëpi gjithandej."

Ndaj mes skamjes ekstreme, kjo familje kërkon një strehë të sigurt për të futur kokën.