Shenja dhune në trup e prerje në fyt, 47-vjeçarja gjendet e vdekur në Malësi e Madhe, ja pistat e hetimit
Një grua u gjet e pajetë në banesën ku jetonte e vetme në Malësi të Madhe, me shenja dhune në trup dhe prerje me thikë në fyt. Dyshimet e forta të policisë janë se 47-vjeçarja është vrarë, por hetohet edhe pista e vetësakrifikimit.
Një 47-vjeçare është gjetur e pajete në banesën ku jetonte e vetme në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, duke ngritur dyshime të forta se gruaja mund të jetë vrarë.
Kqyrja paraprake e trupit të pajetë zbuloi në trupin e Violeta Gurrajt shenja dhune, ndërsa burime thanë se ajo ka edhe shenja të prerjes me thikë me fyt.
Këto fakte kanë përforcuar dyshimet se ndaj 47-vjeçares mund të jetë ushtruar dhunë dhe për pasojë ajo ka humbur jetën.
Ndaj trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit, për ekspertizë më të specializuar, me qëllim përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
Një tjetër pistë e hetimit është edhe ajo e vetëvrasjes në banesën ku jetonte e vetme që kur bashkëshorti i kishte ndërruar jetë.
Dyshohet se ngjarja është regjistruar para 2-3 ditësh, por është zbuluar vetëm mesnatën e kaluar.
Burimet thonë se ka qenë djali i 47-vjeçares që ka lajmëruar policinë, pasi prej disa ditësh nuk kishte arritur të lidhen me të përmes telefonit.
Pas veprimeve të para nga ana e policisë së Shkodrës, çështja i ka kaluar prokurorisë që ka nisur një hetim për të zbuluar nësë gruaja është vrarë apo i dha dhënë fund jetës.
Për këtë qëllim, në orët në vijim, pritet të merret dëshmia e të birit, familjarëve dhe fqinjëve, për konflikte të mundshme që ata mund të kenë patur.