Katër të dyshuar për vrasjen e Kastratit, hetuesit dyshojnë se autorët janë vrasës me pagesë
Policia e Fierit ka 4 persona të dyshuar si autorë të vrasjes së Shkëlzen Kastratit. Ata dyshohet se janë vrasës me pagesë për llogari të grupeve kriminale, ndërsa RENEA dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle këtë të shtunë në Fushë Krujë ku dyshohej se ishin strehuar por pa rënë në gjurmët e tyre.
Policia e Fierit nën drejtimin e prokurorisë dhe policisë kriminale, kanë të dyshuar 4 persona si autorë të vrasjes së 42-vjeçarit Shkëlzen Kastrati.
Tre prej tyre në rolin e personave që kanë qenë në automjetin Range Rover nga ku u qëllua 42-vjeçari, dhe një tjetër në rolin e bashkëpunëtorit, i cili i ka ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Identifikimi i autorëve të dyshuar është bërë i mundur pas analizimit të mbetjeve biologjike në automjetin Audi me të cilin janë larguar autorët. Për këtë kanë ndihmuar dhe pamjet e kamerave të sigurisë së pikave doganore me Greqinë, vend që është futur dhe automjeti Range Rover pasi u grabit në shtetin helen.
Për arrestimin e tyre, policia ka ushtruar kontrolle këtë të shtunë në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës, ku dyshohej se autorët fshiheshin. FNSH dhe RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesa dhe biznese por pa rënë në gjurmët ekzekutorëve.
Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet paralelisht në dy pista, në atë të një përplasjeje me grupe kriminale, por dhe për shkak të hakmarrjes, pasi fisi Kastrati ka patur hasmëri prej vitesh.
Për këtë arsye ata dyshojnë se janë vrasës me pagesë dhe kanë mirë-organizuar atentatin ndaj Kastratit.
Në fazën e hetimeve paraprake policia ka shoqëruar 8 persona në Fier dhe Tiranë, ndërsa ndihmë për hetimet ka dhënë dhe pronari i makinës Audi, i cili është shprehur për policinë se makinën ia kishte shitur një personi nga Kamza por pa akt noterial.
Për krijimin e identikitit të autorëve, policia është ndihmuar dhe nga dëshmitarët okular, të cilët kanë parë largimin e mjetit tip Range Rover, si dhe momentin kur njëri prej tyre e ka djegur tek mbikalimi i baltëzës dhe është larguar drejt një automjeti që e priste mbi baypassin.