U hetua për IMSI Catcher/ Kreu i policisë Vlorë në vetting, i pastër në të tre kriteret e vlerësimit
Procesi i vettingut në polici ka rinisur pas një ndërprerje disa mujore me seancën e vlerësimit ndaj drejtorit të policisë së Vlorës, Artion Duka. Zyrtari i hetuar për çështjen e pajisjes përgjuese IMSI Catcher, u filtrua për kriterin e pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.
Pas dy muajsh ndërprerje rikthehen seancat e vlerësimit kalimtar të punonjësve të policisë.
Subjekti i radhës ishte drejtori i policisë së Vlorës, Artion Duka.
Drejtori i Policisë vendore të Vlorës, Artion Duka, ish-drejtues i Forcës së Posaçme Operacionale, është zyrtari i 33-të i cili kalon në filtrin e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.
Treshja e Komisionit evidentoi se Duka ka në pronësi një apartament, të cilin e ka blerë pas shitjes së një prone të cilën e kishte përfituar nëpërmjet një kredie bankare.
Krahas banesës, drejtori i Vlorës disponon dy llogari bankare, si dhe gjendje cash jashtë sistemit bankar, në vlerën 800 mijë lekë.
Komisioni evidentoi procedimin penal të nisur gjatë viteve 2016-2018 për shpërdorim detyre, lidhur me pajisjen IMSI Catcher, e cila dyshohet se kreu përgjime të paligjshme.
Sipas Komisionit, Gjykata e Tiranës vendosi pushimin e çështjes për shkak të mungesës së kqyrjes dhe ekspertimit të pajisjes e cila mund të provonte akuzat e ngritura.
Për kriterin e pastërtisë së figurës, kreu i policisë së Vlorës nuk rezultoi person me kontakte të papërshtatshme, apo të lidhur me krimin e organizuar.
Sipas Komisionit për Kriterin e Aftësive Profesionale, Duka ka kryer plane operacionale që kanë rezultuar të suksesshme, si për kapjen e personave të shumë kërkuar, apo për kontrollin e territorit të Vlorës për evidentimin e parcelave me kanabis.
Seanca për dhënien e vendimit për kreun e policisë së Vlorës, u caktua të hënën në orën 10:00.
Vettingu në polici ka konfirmuar në detyrë 23 zyrtarë policie, ka përjashtuar 4 të tjerë, ndërsa 5 drejtorë policie dhe garde kanë dhënë dorëheqjen nga procesi.