Ndarja nga jeta e Arben Fagut, Meta: Lamtumirë kampion!
Presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një mesazhi në Facebook, shpreh dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të basketbollit Arben Fagu.
Teksa e quan lojtar virtuoz të Dinamos, Partizanit dhe Kombëtares, Meta shprehet se kushdo që e ka njohur nga afër Fagun ka humbur një mik të sinqertë dhe një personalitet të pakrahasueshëm.
Ilir Meta: Ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij.
Lojtar virtuoz i “Dinamos”, “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve.
Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm.
Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij.
Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar!Lamtumirë Kampion!
Fagu ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare pasi humbi luftën me një sëmundje të rëndë.
Fagu ka qenë ish-basketbollist i Partizanit, më pas trajner i kombëtares së Shqipërisë, si dhe trajner te Partizani, Dinamo, Studenti, Teuta dhe në fund edhe tek skuadra e Universitetit Amerikan të Tiranës.
Arben Fagu është pinjoll i familljes se madhe Fagu, i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani dhe vëllai i legjendës së koshit Agim Fagu.
Lexo edhe:
Ditë zie për basketbollin shqiptar, Ndërron jetë ish-basketbollisti i njohur i kombëtares Arben Fagu