Tender mbi tender për Orikum-Dukat, 193 milionë lekë për të kontrolluar kompaninë “Gjikuria”
Kontratës koncesionare për Rrugën Porti i Jahteve - Orikum – Dukat me vlerë 50.5 milionë euro do t’i shtohet një tjetër faturë.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur tender për shërbime inxhinierike të pavarura.
Vlera e parashikuar e procedurës arrin në më shumë se 193 milionë lekë dhe referuar dokumenteve bashkëshoqëruese qëllimi është monitorimi dhe zbatimi i kontratës.
Një nga detyrat do të jetë edhe kryerja e kontrolleve të përgjithshme dhe auditimi. Në rast se për arsye të ndryshme do të ketë hetime për punimet, inxhinieri do të ofrojë ndihmën e tij duke paraqitur të dhënat e mbledhura.
Fituesi i tenderit do të gëzojë të drejtën të hyjë në çdo moment dhe në çdo orë në territorin ku kruhen punime apo prodhohen materiale.
Në rast se konstatohet një mosplotësim të ndonjë prej pikave të kontratës, ai duhet të njoftojë menjëherë Autoritetin Kontraktues dhe Koncesionarin.
Rruga Orikum -Dukat është dhënë me formulën PPP që në vitin 2018.
Fituesi i kontratës u shpall kompania "Gjikuria" me ofertën prej 50.5 milionë eurosh ndërkohë që pjesëmarrës ishte dhe një subjekt tjetër, i cili u skualifikua pasi vlera e paraqitur kalonte parashikimet e autoritetit kontraktor.
