Xhaçka takohet me homologun maqedonas: Kemi përmbushur kushtet për t’u bërë pjesë e BE-së
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Kjo është deklarata e Ministres së Jashtme Olta Xhaçka gjatë një konference me homologun e këtij vendi, Bujar Osmani. Më tej ajo theksoi se do të ishte keqardhje nëse puna e madhe të hidhej poshtë nga konsideratat subjektive të vendeve anëtare.
“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane.
Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.”
Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, vendet e rajonit ofrojnë tashmë një siguri më të lartë.
Zyrtari maqedonas, Bujar Osmani bëri me dije se temë kryesore e diskutimit ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, ministri Osmani u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy vendeve, duke theksuar se kjo do të sjellë një impuls të ri në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, ai u shpreh entuziast për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e diasporës si dhe bashkëpunimin tre palësh Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Bullgari.
Në vëmendje është sjellë edhe dialogu Prishtinë-Beograd si një çështje që kërkon zgjidhje.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u prit në një takim edhe nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, të cilët evidentuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Bujar Osmani u takua edhe me kreun e Shtetit Ilir Meta, me të cilin ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhëniev të mira mes dy vendeve.
Ardhja e Ministrit Osmani në Tiranë shënon vizitën e parë të një Ministri të Jashtëm në Shqipëri, që prej ardhjes së Ministres Xhaçka në krye të MEPJ.