SHBA i dhuron policisë pajisje për detektimin e lëndëve radioaktive në kufi
Pajisje për kontrollin dhe mbikëqyrjen në pikat e kalimit kufirit me vlerën e mbi 108 mijë dollarëve i janë dhuruar policisë shqiptare nga Programi i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, EXBS
Ceremonia u mbajt sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ishin të pranishëm edhe Drejtori i policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë znj. Yuri Kim është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit.
“Kemi parë që SPAK ka marrë disa masa dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e policisë. Këto pajisje synojnë luftën e trafiqeve të paligjshme dhe krimin ndërkufitar” u shpreh ambasadorja Kim.
Pajisjet
Pajisjet do të përdoren për kontroll kufitar në vijën e dytë dhe të mbikëqyrjes së kufirit.
Janë dy sete që përmbajnë videoskope dhe buster (pajisje për kontrollin e dendësisë);
Pesë sete të pajisjeve për kontrollet në Pikat e Kalimit Kufitar;
Si dhe videoskop e pajisje për mbikëqyrjen e kufirit, si kamera termike, dylbi nate elektrike dore professional me vlerën totale 108.243 US $.
Pajisjet bashkëkohore do të përdoren gjatë kontrollit në Pikat e Kalimit të Kufirit, kryesisht për kontrollin e kamionëve dhe autobusëve, për detektimin e lëndëve radioaktive, skaner portativ me rreze X, si dhe për mbikëqyrjen e kufirit si kamera termike, dylbi dite dhe nate, me rreze të gjatë dhe kamera SMARTDEC
“Jemi të angazhuar dhe të vendosur për të luftuar pa kompromis dhe përkrah partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin” u shpreh drejtori I policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Pajisjet bashkëkohore që i janë vënë në dispozicion Policisë shqiptare janë vijim i mbështetjes së vazhdueshme nga Programi EXBS.
Zgjedhjet
Këtë takim kreu i policisë e shfrytëzoi dhe për të përcjellë mesazhin për zgjedhjet parlamentare.
“Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do jetë e orientuar vetëm në zbatimit të ligjit, me synimin për të përmirësuar më tej standardin pozitiv të arritur në zgjedhjet e mëparshme” u shpreh Veliu