Misteri i zhdukjes së italianit Davide Pecorelli, Shqipëria vonon përgjigjen e ADN-së
Vazhdon të shtohen pikëpyetjet mbi zhdukjen misterioze në Shqipëri të italianit Davide Pecorelli.
Partnerja e tij shqiptare Jonida Likaj i ka besuar një avokati qëndrimin e saj, ndërsa nga Shqipëria ka vonesa të pashpjegueshme mbi punën e autoriteteve policore për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Prej datës 6 janar 2021 familjarët e miqtë, kërkojnë të vërtetën mbi fatin e Davide Pecorellit, italiani 45-vjecar i cili rezulton i zhdukur në territorin shqiptar.
Burimet konfidenciale të RTV Ora konfirmojnë se autoritetet policore italiane janë në pritje të përgjigjes së ADN nga Shqipëria që po vonon më shumë se sa ishte parashikuar.
Në automjetin e Davides , i gjetur i braktisur në afërsi të Pukës, janë gjetur objektet e tij personale si dhe disa mbetje kockore të cilat po ekzaminohen nga mjekësia ligjore duke u krahasuar me të dhënat e ADN së familjarëve të tij.
Prokuroria e Peruxhias ka hapur një dosje hetimore për vrasje e janë në pritje dhe të zbardhjes nga ana e autoriteteve shqiptare të të dhënave telefonike të marra nga celulari i Davide Pecoriellit i gjetur në automjetin e braktisur.
Këto të dhëna do të ndihmojnë të zbardhjen e kontakteve e bisedave që italiani ka zhvilluar në Shqipëri deri në momentin e zhdukjes.
Sipas burimeve konfidenciale të RTV Ora, miqtë e Davide Pecorelli rëfejnsë se sipas bisedave me të "Davide kishte ardhur në Shqipëri jo vetëm për të shitur instrumente të kushtueshme në sektorin e bukurisë estetike, por kishte si qëllim të afërt dhe hapjen e një punishte për prodhimin e produkteve kozmetike me kosto të ulët e që më pas do të shiteshin në Itali."
Për këtë aktivitet ai ishte në marrëveshje me ortakë shqiptarë, të cilët po sipas burimeve konfidenciale të RTV Ora, janë takuar me Davide Pecorellin dhe në Itali rreth muajit shtator të 2020.
Ndërkohë partnerja shqiptare e Davide Pecorelli, e nëna e djalit të tij 10 muajsh, nuk pranon të flas me gazetarët i ka besuar një avokati italian, zbardhjen e kësaj ngjarje si dhe qëndrimin e saj si palë e dëmtueshme nga zhdukja e italianit.
Disa ditë më parë shqiptarja Jonida Likaj është marrë në pyetje nga prokurorët italianë të Prokurorisë së Perugias e më parë është dëgjuar dhe nga autoritetet e prokurorisë shqiptare.
Davide Pecorelli ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë më datë 3 janar 2021 nga aeroporti Fiumicino i Romës. E prej datës 6 janar 2021 rezulton i zhdukur.