Familjarët e komisarit të vrarë Artan Cuku kërkojnë 1 milion euro dëmshpërblim

Familja e ish-kreut të policisë së Vlorës, Artan Cuku kërkojnë 1 milion euro dëmshpërblim për vrasjen e komisarit në 7 prill 2017.

Anëtarët e familjes së ish-drejtuesit të policisë kanë dorëzuar padinë në gjykatë disa muaj më parë ndërkohë që ditën e sotme kanë përcaktuar edhe shumën e dëmshpërblimit që kërkojnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe ministria e Ekonomisë.

Të afërmit pretendojnë se Artan Cuku është vrarë për shkak të detyrës dhe me këtë argument, theksojnë se shteti shqiptar u detyrohet t'i dëmshpërblejë për humbjen e familjarit të tyre.

Kërkesa është depozituar në Gjykatën Administrative, e cila pritet të shprehet brenda disa ditësh.

Artan Cuku u ekzekutua pas largimit nga policia e shtetit por  dyshohet se atentati ndaj tij u porosit nga persona me të cilat ai ka pasur konflikte për shkak të detyrës gjatë kohës kur drejtonte policinë e Vlorës.

Pas atentatit në Shqipëri u arrestua vetëm i akuzuari si ekzekutor i krimit ndërkohë të dyshuarit si porostës u kapën në Greqi por ekstradimi  tyre në vendin tonë dështoi. 

Vrasja
Komisari Artan Cuku u vra në 7 prill 2017 në krye të detyrës duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Sipas Policisë së Tiranës dyshohet se Jambelli kishte porositur vrasjen e Artan Cukut për hakmarrje për arrestimin e tij në vitin 2012, atëherë kur Cuku mbante detyrën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.  

Hetimet kishin zbuluar se ishte Blendar Jambelli ai që kishte kontaktuar fillimisht me Lecin për të kryer ekzekutimin kundrejt një pagesë prej 20 mijë eurosh dhe më pas ky i fundit është lidhur me Mikel Shallarin.

Ekzekutori Mikel Shallari është dënuar me 10 vite pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke ndihmuar në zbardhjen e motivit të krimit, kush ishin porositësit, ndërmjetësit.

Ndërkohë, në shtator 2020 ministria e Drejtësisë i kërkoi Greqisë ekstradimin e Bledar Jambellit i akuzuar si porositësi i vrasjes së komisarit Artan Cuku si dhe Kristaq Leci si personi që ndërmjetësoi mes porositësit dhe vrasësit të Cukut, por kërkesa u refuzua.

Jambelli ka përfituar statusin e azilit politik në Greqi, por mund të ekstradohet nëse ka prova të reja.

Lexo këtu të gjitha lajmet për Artan Cukun