Tiranë, ishte në kërkim ndërkombëtar, prangoset në "Myslym Shyri" shqiptari i dënuar në Itali
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Vihet në pranga 1 shtetas i dënuar nga drejtësia italiane për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
"Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, në rrugën "Myslym Shyri", ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Albert Bulcari alias Mirash Hani. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e e Apelit Torino/Itali e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 7 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve" parashikuar nga Kodi Penal italian." - njofton policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
(Foto Ilustruese)