"Moment i vështirë", Draghi merr përsipër detyrën për krijimin e qeverisë së re në Itali

Ish-shefi i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, pranoi të mërkurën mandatin për të formuar qeverinë e re italiane.

Dragi u ftua nga presidenti Serxho Matarela që të provojë ai ta nxjerrë Italinë nga kriza politike dhe shëndetësore që po kalon, pasi koalicioni aktual nuk vendosi ta vazhdojë qeverisjen me kryeministrin, Xhuzepe Konte.

"Emergjenca që po kalojmë kërkon përgjigje në përshtatje me situatën, dhe me këto shpresa e me këtë detyrë unë iu përgjigja pozitivisht apelit të presidentit të Republikës. Fitorja ndaj pandemisë, fushata e vaksinimit, problemet e përditshme të qytetarëve, ringritja e vendit, këto janë sfidat që kemi përballë."

73-vjeçari Dragi tha se Italia do shfrytëzojë fondet e Bashkimit Europian për t'i kaluar sfidat dhe për të parë me shpresë drejt brezave të ardhshëm.

Ndërkohë, sfida e tij më e parë do jetë para parlamentit ku i duhet mbështetja e nevojshme.

"Kam besim se në përballjen me partitë politike, me grupet parlamentare dhe nga dialogu me forcat shoqërore, do të kemi unitet."

Palët kryesore politike e mirëpritën mandatimin e Dragit.

Demokratët që janë tani në pushtet thanë se një kryetar i ri qeverie hap një fazë të re për vendin dhe i jep fund krizës absurde që provokoi ish-kryeministri Mateo Renxi muajin e kaluar.

"Lëvizja 5 Yjet", po ashtu në udhëheqje, tha një ditë më parë se do kishte preferuar një figurë jo aq teknike sa Dragi, ndërsa presidenti Matarela apeloi për një qeveri të profilit të lartë.

Mario Dragi, i njohur edhe me pseudonimin "Super Mario", u vlerësua dhjetëvjeçarin e shkuar për idetë për eurozonën, kur në krye të Bankës Qendrore Europiane, ideoi mekanizma për t'i lehtësuar vendet europiane nga borxhet e mëdha që kishin trashëguar ndër vite.

Kush është Mario Draghi?

Mario Draghi ka mbajtur më herët postet e Presidentit të Bankës Qëndrore Europiane dhe atë të Guvernatorit të Bankës së Italisë.

Profesor universitar, prej vitit 2005 Mario Draghi ka drejtuar Bankën Italiane e prej vitit 2011 deri më 2019 ka qënë President i Bankës Qëndrore Europiane.

Ka meritën se mundi të shpëtojë euron pas një krize të thellë financiare europiane  shkaktuar nga borxhi publik e që vuri në rrezik ekzistencën e monedhës së përbashkët europiane.

Në vitin 2012, në Londër do të deklaronte "se Banka Europiane ishte e gatshme të bënte gjithcka për të shpëtuar euron".

Në vitin 2018 "Revista Forbes" e klasifikoi ndër 18 njerëzit më të fuqishëm të botës.

Shpresa e Presidentit Mattarella është që në këtë moment të vështirë ku ndodhet vendi, rënduar dhe nga kjo krizë qeverisëse, Mario Draghi të jetë rruga e shpëtimit për Italinë.

Mario Draghi ka deklauar publikisht se bindjet e tij politike janë për një  socializëm liberal e se është një katolik i devotshmë.

Profesori dhe ekonomisti Mario Draghi, është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.