Kriza politike në Itali, Mattarella fton Mario Draghin për formimin e qeverisë së re

Forcat politike të mazhorancës italiane nuk arritën kompromis për të rinovuar koalicionin qeverisës.

Pas një jave konsultimesh që përfshinë atë vetë dhe kryetarin e dhomës së ulët të parlamentit, presidenti Sergio Mattarella ftoi palët të reflektojnë shpejt ose ta çojnë vendin në zgjedhje.

Kreu i shtetit theksoi se në një kohë krize shëndetësore siç po paraqet pandemia e kovidit-19, zgjedhjet e reja janë alternativa më pak e preferuar e tij.

"Mos harroni se nga dita që shpërndahet parlamenti, duhet të kalojnë 60 ditë dhe 20 të tjera do të marrë parlamenti i ri, që pastaj do duhet të zgjedhë kryesinë, qeveria do duhet të marrë besimin e të dyja dhomave dhe të organizohet. Në 2013-n ky proces zgjati katër muaj, në 2018-ën, 5 muaj, ndërsa sot flasim për një moment vendimtar."

Presidenti Mattarella sugjeroi krijimin e një qeverie të profilit të lartë.

Presidenca italiane paralajmëroi një takim me ish-shefin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, që raportohet se mund të marrë mandatin për ekzekutivin.

Dragi është figurë teknike që ka mbështetjen e partisë "Italia Viva", kushtëzueses së koalicionit, ndërkohë grupimi më i madh, "Lëvizja 5 Yjet", këmbëngul te një qeveri politike që do të kishte në krye për herë të tretë, kryeministrin Xhuzepe Konte.

Opozitarët e "Forca Italia"-s thanë se edhe ata do e vlerësonin zgjedhjen e Dragit për kryeministër.