Lideri rus Alexei Navalny dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg
Një gjykatë ruse ka dhënë vendimin për ta dënuar me 3 vjet e gjysmë burg opzitarin Aleksei Navalny. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se ky dënim është dhënë për të heshtur dhe larguar nga skena politike kundërshtarin e presidentit rus Vladimir Putin.
Gjykatësi në Moskë ra dakord me kërkesën e prokurorisë që kërkuan burg për Navalnjin, pasi, sipas tyre, ai kishte shkelur hapësirat e një dënimi me kusht për mashtrim që mori në 2014, duke mos u kthyer menjëherë në Rusi nga Gjermania, ku u kurua për helm të dyshuar me agjentin nervor Novicok.
Gjykatësi tha se rreth një vit dënim është kryer tashmë nën arrest shtëpiak, dhe do të zbritet nga koha e vuajtjes së dënimit, që do të thotë se ai do të kalojë dy vjet e tetë muaj pas hekurave.
44 vjeçari Navalnji është një zë i fortë kritik ndaj Kremlinit zyrtar, teksa hetimet e tij kundër korrupsionit të niveleve të larta në Moskë dhe protestat kundër regjimit të Putinit, siç e cilëson ai, janë bërë kërcënimi më i madh politik për Kremlinin zyrtar, shkruajnë mediat ndërkombëtare. Gjatë dhënies së vendimit, ai e cilësoi dënimin si politik dhe gjykatën si një mjet të shtypjes politike.
“Qëllimi kryesor i këtij vendimi është të trembë një numër të madh njerëzish. Kështu funksionon. Burgosin një person për të trembur miliona, ”-tha Navalny në fjalën e tij, në sallën e mbushur me gazetarë dhe diplomatë.
Ai pretendon se akuzat kundër tij janë hakmarrje e Putinit se opozitari i mbijetoi helmimit me Novicok, që për këtë rast disa qeveri perëndimore ia kanë hedhur fajin Kremlinit, ku dyshohet se shërbimi inteligjent rus ishte i përfshirë në tentativën e vrasjes së opozitarit. Ndërkohë, Kremlini e mohon përfshirjen.