Çeku: Marrëveshja diplomatike Kosovë-Izrael qasje pozitive tek vendet e BE-së

1 shkurti do të lidhë një marrëdhënie të re diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit. Diplomati Arben Çeku e lexon si diçka pozitive krijimin e një marrëdhënie mes dy vendeve, e cila sipas tij do i hapte rrugë Kosovës në bashkëpunime me vende të tjera aleate të Izraelit.

Ai tha në Ora News se me anë të kësaj marrëveshjeje shpreson që vendet e tjera të BE-së të kenë një qasje tjetër ndaj Kosovës, duke qenë se flasim për një vend që prej vitit 2008-ë është i pavarur dhe sovran.

"Shumë lajm i rëndësishëm është ky, për një dimension të ri të marrëdhënieve të Kosovës me botën e jashtme dhe sidomos rikthen nevojën dhe optimizmin për të patur njohje më të mëdha të Kosovës. Shpresoj që fillimi i këtyre marrëdhënieve diplomatike të koeicidojnë me një rikthim të vëmendjes të administratës Biden tek Kosova dhe progresi i saj në marrëdhënien ndërkombëtare.

Shpresoj shumë që vendosja e re e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, të sjellë një frymë të re të marrëdhënieve të saj me pjesën tjetër të botës arabe, por edhe vendeve të tjera aleate të Izraelit që luajnë një rol tepër të rëndësishëm. Uroj dhe besoj që disa shtete të BE-së pas kësaj marrëdhënie të re të Kosovës me Izraelin të kenë një qasje pak më realiste për një shtet që funksionon prej vitit 2008-ë si i pavarur dhe sovran", tha diplomati.