Përgjimet, Bogdani: Nga ana tjetër e Adriatikut faktet janë shumë më të rënda

Ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani ka qenë i ftuar në Ora News, ku ka folur për përgjimet e bëra publike nga antimafia italiane.

Bogdani ka thënë se Bashkia e Tiranës ka për detyrë ti ndjekë lejet për ndërtim nga nisja deri në përfundim, teksa ka shtuar se në Itali faktet janë shumë më të rënda dhe flasin shumë ndryshe për këtë çështje.

Bogdani: Kryetari i Bashkisë duke i bërë bisht pyetjeve të gazetarëve të Ora News dhe të tjerëve, tregon që ka një implikim të drejtpërdrejtë apo ka një ndjenjë faji. Ai bëri disa deklarata në fillimet e veta, ku u mundua ta ironizonte gjënë, duke thënë qe janë zhurma fushate. Pastaj tha që ne jemi të përgjegjshëm për atë që bëjmë ne, por nuk dimë se çfarë bëjnë njerëzit me lejet e pallateve që jep bashkia. Kjo gjë është një gënjeshtër e madhe dhe absurde, sepse bashkia duhet ta ndjekë nga fillimi në fund. Pastaj u munduan të thonë që Ndrangheta ka hapur vetëm një dyqan rrobash në Tiranë.

Nga ana tjetër e Adriatikut faktet janë shumë më të rënda dhe flasin shumë më ndryshe. Personit në fjalë që është i implikuar në Tiranë, i kanë gjetur disa qindra-miliona euro cash. Pra tregon që realisht ka pasur një sasi parash për të pastruar. Fatkeqësisht kam përshtypjen që këto para janë tashmë duke u pastruar në Shqipëri. Mjafton të ktheni kokën në çdo cep të Tiranës, ku çdo lulishte apo kënd lojërash është kthyer në pallat. Kemi qendrën historike të Tiranës që është mbushur me pallate.

U shemb teatri vetëm për t'u mbushur me pallate. Ke kullën te sahati që po e zhduk Sahatin dhe po i zhduk identitetin e kam përshtypjen që rrezikon edhe xhaminë e Ethem Beut, pra një simbol të rëndësishëm të Tiranës. Sepse Ndrangheta apo mafiat e tjera duan të pastrojnë paratë, me firma të lejeve të ndërtimit që ia marrin bashkisë, nëpërmjet njerëzve si Niku, që në këtë rast mund të jetë Besniku biznesmeni apo Mazniku nënkryetari i Bashkisë. Hajde ta gjejë prokuroria. Çmimi për metër katror tregon se po pastrohen paratë.

Përshtati për online Tea Islamaj.