BE me sytë nga vaksina ruse, Moska gati t’i japë 100 milionë doza të vaksinës Sputnik-V
Në sfondin e tensioneve me firmat farmaceutike AstraZeneca dhe Pfizer, Bashkimi Europian po hedh sytë nga vaksina ruse Sputnik-V. Vetë Moska tha se është gati t’i japë bllokut 100 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 50 milionë vetë.
Pas problemeve me AstraZenecan dhe Pfizerin, Bashkimi Europian po shikon nga Rusia vaksinën Sputnik-V. Moska tha se është e gatshme t’i japë 100 milionë doza Bashkimit Europian në tremujorin e dytë të vitit, një sasi e mjaftueshme për të vaksinuar 50 milionë vetë. Njoftimi u bë nga vetë Fond i Investimeve Direkte i Rusisë.
Është ende e paqartë nëse Fondi do të kërkojë miratimin e vaksinës nga EMA, Agjencia Europiane e Barnave.
Ndërkohë firma AstraZeneca e cila është në mosmarrëveshje me Bashkimin Europian për kalendarin e dërgesave tha se deri në mars mund të dërgojë edhe tetë milionë doza, sasi që sipas Brukselit është ende larg parashikimit fillestar, i tha një burim agjencisë Reuters.
Javën e kaluar, firma anglo-suedeze farmaceutike njoftoi reduktimin e furnizimit me doza për Bashkimin Europian dhe disa zyrtarë llogarisin dërgimin e 31 milionë dozave deri në mars, apo 60 për qind më pak se parashikimi.
Tensionet midis Brukselit dhe firmës janë rritur ditët e fundit dhe presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen kërkoi publikimin e kontratës.
Ndërsa rregullatori belg i medikamenteve theksoi se ishte ngarkuar nga Komisioni për të inspektuar një uzinë ku është prodhuar një pjesë e vaksinave antiCOVID-19 të AstraZenecas, pas njoftimit nga laboratori për vonesën e dërgesave.
“Disa dokumente dhe të dhëna të sekuestruara janë nën shqyrtim”, theksoi një zëdhënës i Agjencisë Federale belge për medikamentet dhe produktet shëndetësore (AFMPS).