Protesta të reja kundër Putinit, gjykata lë në burg kreun e opozitës ruse, tjetër gjyq më 2 shkurt
Rusët u thirrën sërish në protestë kundër regjimit të presidentit Vladimir Putin. Pasi gjykata hodhi poshtë kërkesën për lirim të udhëheqësit të opozitës, Aleksei Navalny, iu kërkoi qytetarëve të mundin frikën që askush të mos jetojë në një vend ku mbretëron tirania dhe korrupsioni.
Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, i cili ndodhet në burg në Rusi, bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare në fundjavë, e dyta pas asaj të fundjavës së kaluar. Pasi u la në burg nga gjykata Navalny kërkoi nga rusët që të lënë mënjanë frikën.
“Dilni, mos kini frikë nga asgjë. Askush nuk dëshiron të jetojë në një vend ku mbretëron tirania dhe korrupsioni. Shumica është në anën tonë”, tha Navalny.
Ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke planifikuar protesta më 31 janar, pas atyre të fundjavës së kaluar. Navalny u arrestua më 17 janar, pas kthimit në Rusi nga Gjermania. Ai ka akuzuar presidentin Vladimir Putin, për urdhërimin e helmimit të tij, akuzë që është hedhur poshtë nga Kremlini.
Të enjten, një gjykatë ruse e konfirmoi paraburgimin e tij prej 30 ditësh, duke refuzuar apelin e avokatëve.
Një gjyq që do të mbahet më 2 shkurt, do të përcaktojë nëse një dënim i mëhershëm me kusht i Navalnyt do të shndërrohet në tre vjet e gjysmë burgim. Ky dënim ka të bëjë me një rast të përvetësimit të fondeve, që konsiderohet gjerësisht si i trilluar dhe i motivuar politikisht.
Prokurorët thonë se Navalny ka shkelur kushtet e lirimit me kusht gjatë kohës së mjekohej në Gjermani.
Përpara protestave të planifikuara këtë fundjavë, disa prej aleatëve dhe mbështetësve të Navalnyt u arrestuan, ndërsa policia paralajmëroi se do të reagojë ashpër ndaj çdo tubimi të paautorizuar.
Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve në Rusi, Roskomnadzor, tha se do të gjobisë Facebook-un, Instagram-in, Twitter-in, TikTok-un, YouTube-in dhe dy rrjete sociale ruse, për dështimin e tyre për të bllokuar thirrjet ndaj të miturve, për t'iu bashkuar protestave.
Për të sfiduar Putinin, dy ditë pas arrestimit të Navalnyt, organizata e tij publikoi një film dyorësh, i cili pretendon se presidenti rus zotëron një pallat në vlerë prej 1.36 miliardë dollarësh në brigjet e Detit të Zi. Videoja është parë 100 milionë herë.