"Shqiptarët më thonë se do të largohen nëse..."/ Gjosha: Shpresa e tyre tek zgjedhjet e 25 prillit

Në një intervistë për emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora, ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, tha se shpresa e fundit e shqiptarëve për të mos e braktisur këtë vend është tek zgjedhjet e 25 prillit.

Ajo thotë se në takime që ka pasur me qytetarë të ndryshëm ka marrë shqetësimin se nëse në Shqipëri nuk ndryshon situata pas 25 prillit do të largohen nga vendi.

"Papunësia është pjesa më e madhe, sidomos në rrethe por edhe në periferi të Tiranës. Pasiguria për jetën, të ardhmen. Ti mund të kesh një punë të mirë, mund të paguash mirë, por mund të heqin prej pune. Nuk ke siguri që fëmija yt do të rritet mirë. Këto janë pikëpyetjet që i lindin shtresës së mesme dhe rinisë sot. Në çdo takim që ne kemi me të gjithë shqiptarët, ata thonë a do të ketë ndryshim me datë 25, ne kemi një shpresë, nëse jo ne do të largohemi nga vendi. Kjo është shqetësuese, largohet fasha kryesore aktive e Shqipërisë, por më e rënda, largohet 'truri'. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga politika, sidomos e këtyre 30 viteve të fundit që nuk ka sjellë një frymë të re në qeverisëse e ti bëjë qytetarët të jenë bashkë me ta. Ata habiten kur ne i takojmë ata, sepse mendojnë se një politikan është i paprekshëm", tha Gjosha.