Identifikohet grabitësi i Kredo.al, autori 21-vjeçar “ekspert” i vjedhjeve në kryeqytet

Një 21-vjeçar dyshohet se është autori i grabitjes së institucionit financiar Kredo.al në Tiranë tri ditë më parë. Sipas hetuesve, i riu Kristi Çinari dyshohet të ketë marrë më shumë se 600 mijë lekë duke kërcënuar me armë punonjësit. I dyshuari është person i njohur për policinë pasi në 2017 është dënuar për grabitjen e një farmacie së bashku me një tjetër person.

Tri ditë pas grabitjes së institucionit financiar Kredo.al në Tiranë, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

Bëhet fjalë për 21-vjeçarin, Kristi Çinari, i cili është shpallur në kërkim pasi policia e ka identifikuar nëpërmjet kamerave të sigurisë së zonës.

Sipas deklarimeve të punonjësve të institucionit financiar, i riu dyshohet të ketë marrë një shumë prej 600-700 mijë lekësh.

Ai ka kërcënuar me armë punonjësit e sportelit, të cilët janë detyruar ti vënë në dispozicion shumën e parave.

Sipas bluve dyshohet se ai është ndihmuar dhe nga një tjetër person për tu larguar për të cilin po punohet për ta identifikuar.

I riu ka pak kohë që ka dalë nga burgu i cili ishte i dënuar për vjedhje.

Ai është akuzuar si autor i vjedhjes së një farmacie në vitin 2017.

Bëhet fjalë për vjedhjen me armë në “Rrugën e Kavajës”. Çinari së bashku me Foti Kristalin, 18 vjeç asokohe, hynë brenda një farmacie dhe kërcënuan me armë punonjësen duke i marrë xhiron ditore.

Njëri nga grabitësit i drejton armën punonjëses, ndërsa tjetri, i cili nuk kishte armë, kontrollon sirtarët për lekë.

E frikësuar farmacistja nxori të gjitha paratë ndërkohë edhe grabitësi i dytë shkoi te sirtari tjetër për të marrë para.

E gjithë grabitja ka ndodhur për 40 sekonda ndërkohë që një ditë pas ngjarjes Kristi Çinari u arrestua në atë kohë.

Kjo për faktin se 18-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ishte dënuar më parë për vjedhje.

LEXO EDHE

Tiranë: Grabitet filiali i dhënies së kredive