Skandal me pistën e atletikës, nis zëvëndësimi i tartanit në stadiumin "Loro Boriçi"

U ndërtua në vitin 2017 për të kompletuar investimin e realizuar në stadiumin “Loro Boriçi” prej qeverisë dhe federatës shqiptare të futbollit.

Por pak pas inaugurimit, jetëgjatësia e pistës së Tartanit në këtë impjant sportiv nuk zgjati dhe nisi të shfaqë problemet e para, ç’ka e bënë të papërshtatshme për atletët.

Madje, ky terren, ndryshe nga “Elbasan Arena”, nuk e mori as çertifikimin nga ndërkombëtarët, duke “mos e kaluar klasën”.

Shkak u bënë punimet e dobëta të realizuara në të, të cilat u bënë më pas objekt debatesh e përplasjesh mes qeverisë dhe FSHF-së.

Duke parë fryrjet e pësuara dhe rrezikun që ai paraqiste për atletët, federata vendosi të hedhë hapin tjetër dhe hodhi në gjyq kompaninë ndërtuese.

“Drejtësia” i dha të drejtë organit të lartë të futbollit shqiptar që ka fituar gjyqin dhe kompania është e detyruar ta ndërtojë nga e para pistën e “Loro Boriçit”.

Për këtë arsye prej dy ditësh ka nisur puna në terren ku po kryhet heqja e tartanit të vjetër.

Pas kësaj faze do të kryhen nivelimet e kërkuara dhe me të favorizuar kushtet atmosferike do të nisë puna për shtrimin e tartanit të ri.

Të gjitha këto punime do të bëhen me kosto të mbuluara nga kompania, e cila ka qenë përgjegjëse për cilësinë e dobët të ndërtimit në 2017-ën.

Me përfundimin e ndërhyrjes në terren, FSHF ka bërë të ditur se do të kërkohet edhe leja nga organizmat europianë për zhvillimin e garave ndërkombëtare në pistën e tartanit.

Kështu, atletika shkodrane dhe ajo shqiptare merr një lajm të mirë, teksa brenda këtij viti pritet që të ketë në dispozicion për garat një terren të ri.