Master për video-analistë dhe programe të tjera/ FSHF marrëveshje me Universitetin e Sporteve
Federata Shqiptare e Futbollit firmos marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Kjo marrëveshje ka si objekt bashkëpunimin e palëve në aktivitetet sportive dhe veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese të organizuara nga FSHF dhe UST duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.
Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua sot në ambientet e stadiumit kombëtar “Air Albania” ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Rektori i UST-së, Agron Kasa, përfaqësues të Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit.
Duke marrë fjalën në nisje të aktivitetit Duke u shpreh se kjo marrëveshje është fryt i një pune apo i iniciativës së vetë Rektorit Kasa dhe foli për një projekt të ri, që mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike.
“Kjo ceremoni e firmosjes së kësaj marrëveshjeje është fryt i një punë apo i iniciativës së vetë rektorit, të cilin dua ta falënderoj për vizionin e tij dhe hapjen e universitetit që do t’i shërbejë si sportit edhe studentëve. Së fundmi ne kemi iniciuar edhe një projekt të ri, i cili mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike. Për këtë ne kemi shpallur projektin, kemi kërkuar aplikime dhe nëpërmjet kësaj ceremonie i ftoj edhe një herë të gjithë stafet akademike, jo vetëm të Universitetit të Sporteve, por të të gjitha Universiteteve për të aplikuar në këtë projekt të Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, i cili konsiston në financimin e këtyre studimeve apo kërkimeve shkencore deri në vlerat 20.000 euro. Unë besoj se të gjitha këto do t’i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë në përgjithësi dhe sportit në veçanti”, u shpreh kreu i qeverisë së futbollit, teksa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe zhvillimet pozitive që do të ketë në drejtim të sportit.
“Për ne është një ditë shumë e rëndësishme sot. Firmosja e aktit të kësaj marrëveshjeje është fryt i punës së ekspertëve, i diskutimeve, e cila konsiston në bashkëpunimin, shfrytëzimin e të gjitha pajisjeve apo laboratorëve që ka Universiteti i Sporteve në shërbim të ekipeve të futbollit, trajnerëve të futbollit; në futjen e lëndëve të ndryshme apo kurrikulës në Universitetin e Sporteve. Do të fillojë me një master për video-analistë së shpejti dhe do të shoqërohet edhe me programe të tjera në UST”, vijoi më tej presidenti i FSHF.
Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, Agron Kasa, theksoi në fjalën e tij se kjo është marrëveshja më e rëndësishme që ai ka firmosur që nga dita kur është dekretuar si Rektor.
“Ky master nuk është vetëm thjesht një master për trajnerët, por ky është edhe masteri që do të bashkojë në një produkt të përbashkët të gjithë trajnerët dhe specialistët e FSHF-së me stafin akademik të UST-së. Këta që do të vijnë duke përfaqësuar Federatën e Futbollit do të jenë trajnerët italianë që ju keni përfshirë në këtë kurs, mund të jenë trajnerët dhe specialistët që ju keni, është e drejta juaj që po bëjmë një bashkim, që në këndvështrimin tim, në US, që prej 60 vitesh që është krijuar, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kjo është risi jo vetëm si koncept por edhe si bashkëpunim. Unë ju falënderoj për të gjitha fjalët që thatë, për të gjithë angazhimet që keni marrë, mbështetjen që na keni dhënë deri tani sepse vetëm prezenca juaj në krah të procesit të zhvillimit dhe përmirësimit të Universitetit të Sporteve është një sukses i madh për Universitetin tonë. Ju falënderoj dhe i uroj suksese Federatës dhe gjithë stafit që do të punojë për realizimin e këtij procesi. Faleminderit!”, tha ndër të tjera Kasa në fjalën e tij.