Banorët e Selenicës: Ne mes baltës Kryetari e deputeti me fuoristradë

Banorët e fshatit Kotë në bashkinë e Selenicës ankohen për mungesën e investimeve në rrugën e lagjes Hasane e cila në ditë me shi bëhet e pakalueshme.

"Jemi 100 familje që vuajmë, kalojmë përditë këtu në këtë rrugë," tha një banore.

Është më pak 1 km që sipas banorëve u vështirëson jetesën.

"E bëj dy herë në ditë këtë rrugë, nëpër shi dhe fëmijët i çoj ujë në shkollë, " tha një banore tjetër.

"Këtu është fatkeqësi, u sëmure këtu vdiqe, s'ke nga ia mban," shprehet banori. "Një taksi do 100 mijë lekë (të vjetra) të të marrë këtu dhe të të çojë Vlorë."

Kërkesat dhe ankesat e tyre shkojnë për kryebashkiakun Pëllumb Binaj, i cili siç thonë gjithmonë është justifikuar me mungesën e fondeve.

Por nga ana tjetër, banorët thonë se kurrë nuk kanë marrë asnjë sqarim se ku shkojnë taksat që paguajnë.

"Çdo gjë këtu nuk funksionon, është lënë në harresë. Ata e bënë më mik edhe xhadenë," thotë një banore.

Rruga do të bëhet, thonë banorët është premtim që e marrin sa herë u kërkojnë votën, për bashkinë apo deputetin.

Por kur votimet mbarojnë, banorët thonë se fondet për rrugën e tyre nuk gjenden kurrë.

Për këtë akuza direkte kanë për deputetin e zonës, sociaistin Vullnet Sinaj.

"Po e njoh po ai tallet me ne. Do ja u bëj thotë e gënjen. Në kalojmë në baltë ai kalon më fuoristradë," thotë një banor.

"Vijnë për votat, bëjnë reklama dhe ikin, vetëm kaq."

Ndaj teksa zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë, mesazhin i banorëve të Kotës, shkon direkt për të.

"Do vijnë deputetët tani, para zgjedhjeve , do vijnë ata të gjithë. Të na i bëjnë rrugën, ndryshe asnjë nuk do vejë të votojë," tha një banor.

"Sivjet kemi vendosur që mos votojmë si lagje."

Mungesa e kanalizimeve dhe kontejnerëve për mbetjet urbane janë dy probleme të tjera që nuk kanë marrë kurrë zgjidhje në këtë zonë.