Tiranë: Grabitet filiali i dhënies së kredive
Filiali i institucionit financiar “Kredo.al” i dhënies së kredive ka rënë pre e grabitjes këtë të shtunë në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40 në rrugën “Bardhyl” kur një person ende i paidentifikuar nën kërcënimin e armës ka marrë xhiron ditore dhe paratë që mbaheshin në ambientet e institucionit financiar.
Sipas burimeve të policisë mësohet se bëhet fjalë për të paktën 100 mijë lekë të cilat janë marrë nga grabitësi i cili ka qenë i maskuar.
Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje dy punonjëset të cilat janë shprehur se u ka drejtuar armën dhe i ka kërcënuar me jetë, ndaj janë detyruar t’i japin shumën e parave. Ai është larguar me shpejtësi, nëpërmjet rrugës “Hoxha Tahsim”, për t’u larguar më pas rrugicave.
Pas tij janë vënë në ndjekje forca të shumte policore, ndërsa mësohet se janë ngritur dhe pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit. Ai dyshohet se ka pasur një tjetër bashkëpunëtor, i cili mund të ketë pritur jashtë në momentin e ngjarjes.
Ata janë larguar drejt zonës së Brrylit ku tani do të bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonë për të mësuar destinacionin e tyre.