Tiranë: Eksploziv makinës së ndërtuesit në zonën e Freskut
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e një pallati në zonën e Freskut në kryeqytet mëngjesin e të shtunës, 23 janar 2021.
Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndën plasëse në pasqyrën e makinës së ndërtuesit Saimir Naski.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar mjeti tip “Porche” dhe disa automjete të tjera që ndodheshin të parkuara në garazhdin e pallatit.
"Rreth orës 07:40, në fshatin Qesarakë, mjeti i parkuar në garazhdin e një pallati në pronësi të shtetasit S. N, ne rrethana të paqarta dyshohet se ka shpërthyer si pasojë e lëndës plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale" informoi sot paradite policia e Tiranës.
Ky ambient është bllokuar për më shumë se 3 orë si skenë krimi pasi hetuesit kishin dyshime se tritoli nuk është plasur i gjithi.
Për këtë arsye efektivët e policisë thirrën në ndihmë forcat anti-eksploziv të repartit "RENEA" për të siguruar zonën.
Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit kanë marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor është fokusuar në pistën e vendosjes së tritolit për shkak të konkurrencës por dhe të ndonjë konflikti të mundshëm përgjatë kohëve të fundit. Vetë biznesmeni ka mohuar para efektivëve të policisë të ketë konflikte me njeri, por hetuesit dyshojnë se mund të ketë patur dhe konflikte në Angli ku ka jetuar për disa vite.
Grupi i posaçëm ka kërkuar të dhëna nga kamerat e sigurisë por ka qenë e pamundur pasi zona nuk është e pajisur, madje as garazhi që përdoret për parkimin e automjeteve. Ata shpresojnë të identifikojnë lëvizjet e autorit vetëm nga pamjet e një prej kamerave të sigurisë në një prej bizneseve në rrugën kryesore, disa metra larg vendit të ngjarjes.