Numëruesit nën vëzhgimin e KQZ, debat për ruajtjen e materialit filmik të numërimit të votave
Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, KQZ do të ketë akses të plotë të shohë në kohë reale numërimin e votave në tavolinat e grupeve të numërimit. Anëtarët e Komisionit Rregullator u përfshinë në debate sa i përket ruajtjes së filmimeve pas procesit.
Numërimi i votave të 25 prillit do të përcillet drejtpërdrejtë në zyrat qendrore të KQZ-së përmes kamerave të vendosura në tavolinat e grupeve të numërimit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës së Komisionit Rregullator ku u miratuan unanimisht rregullat procedurale për përdorimin e kamerave regjistruese dhe monitorëve në vendet e numërimit të votave.
Një pikë që ngjalli debat mes anëtarëve ishte ruajtja e materialit filmik të numërimit të votave.
Regjistrimi filmik pasi transmetohet në kohë reale në monitorët e vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ruhet në mediet elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore.