Përgjimet e antimafias, Meta kërkon hetim të gjithçkaje, opozita hetim për 20%
Përgjimet e antimafias italiane për dosjen “Ndragheta” të publikuara nga Ora News sollën reagime të ashpra në politikën shqiptare.
Presidenti Ilir Meta nga Durrësi tha se pastrimi i parave është kthyer në një shqetësim në mbarë vendin ndaj kërkoi hetim të thelluar.
Meta: Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona.
Nga ana e saj PD e quaji qeverinë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë. Ish deputetja demokrate Grida Duma tha se Veliaj e Rama marrin 20% e milionave ndërsa qytetarët mezi ia dalin të shtyjnë muajin.
Grida Duma:"Ajo që u zbulua nga Ora News është vetëm një episod më shumë në vargun e aferave të pambarim të korrupsionit të qeverisë Rama dhe kukullës kryesore të tij, Eion Veliaj.
Sa herë të shikoni kullat në Tiranë, sa herë shikoni mbytjen me ndërtime, Tiranën e pabanueshme të uzurpuar, kujtoni Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Si ortakë me mafian, kanë 20% të tyre. Ata marrin 20% të milionave, ndërsa qindra dhe mijëra qytetarë mezi ia dalin të shtyjnë muajin, qindra mijëra të tjerë janë të papunë dhe mijëra të rinj mendojnë vetëm se si të largohen nga Shqipëria.
PD: Përgjimet tronditëse dëshmojnë se Veliaj dhe Rama po e përdorin Tiranën si lavatriçe për paratë e pista
PD shigjetoi edhe SPAK.
Grida Duma: SPAK duhet të bëjë detyrën! Shqiptarët kanë sakrifikuar jo pak dhe është investuar shumë edhe nga ndërkombëtarët që SPAK dhe drejtësia të veprojë.
Pas këtyre deklaratave kryebashkiaku Veliaj në vend që të sqaronte korrupsionin e tij, lajmëroi një padi për shpifje ndaj Grida Dumës. PD tha më tej që nuk i frikësohet asnjë procesi gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen e saj.
Akuzat kishte dhe LSI Hetim mafias të ulur këmbëkryq në Tiranë për shkak të qeverisë dhe Bashkisë