Trupat iu gjetën të copëtuar në valixhe: Në hetim dhe djali i çiftit Pasho dhe vëllai i Elonës

Prokuroria italiane ka vënë nën hetim edhe Taulant Pashon, djalin e çiftit Pasho të cilët janë zhdukur që prej vitit 2015, dhe trupat e pajetë të tyre u gjetën gjatë muajit dhjetor në shtetin fqinj. Si e dyshuar e vrasjes së çiftit shqiptar është dhe ish e fejuara, por hetuesit kanë vënë së fundmi nën hetim dhe vëllain e Elonës, Denis Kaleshin.

Hetimet ndaj tyre kanë nisur pasi në apartamentin në via Fontana, në San Iacopino, ku dyshohet se u vranë çifti shqiptar Teuta dhe Shpëtim Pasho në 2015, janë gjetur gjurmë të reja. Prokurorja Ornella Galeotti sipas medieve italiane është shprehur se janë gjetur disa gjurmë dhe në bazë të ekspertizave të bëra të ADN-së synohet të zbulohet se kush është i përfshirë.

Ndërkohë që Elona Kaleshi, prej më shumë se një muaji gjendet në burg me akuzat e vrasjes, masakrimit dhe fshehjes së trupave të çiftit Pasho. Ajo u arrestua më 22 dhjetor me urdhër të prokurores Ornella Galeotti me akuzat e vrasjes, fshehjes dhe poshtërimit të kufomave.

Për gjykatësit hetues të Firences, Angelo Antonio Pezzuti, shqiptarja 36-vjeçare vrau dhe masakroi  54-vjeçarin Shpëtim dhe 52-vjeçaren Teuta Pasho. Për gjyqtarin ka të dhëna serioze faji të 36-vjeçares. Ajo ka 7 dënime të mëparshme për rezistencë ndaj një zyrtari publik, dëmtim personal, mashtrim dhe vjedhje.

Ajo është akuzuar nga familjarët e çiftit të vrarë ai autore duke marrë shkas nga paratë që çifti kishte me vete rreth 40 000 euro. Sipas prokurorisë Kaleshi do të kishte nevojë për ndihmë në transportimin e valixheve ku gjendeshin trupat e të ndjerëve.

Kjo është arsyeja e njoftimit të akuzës edhe për vëllain e saj me banim në Cerreto Guidi, por aktualisht i burgosur në Massa.

Gjyqi do të fillojë me 22 Shkurt për t’u dhënë kështu kohë të dyshuarve të përcaktojnë edhe konsulentët e tjerë ligjorë. Tanimë çdo gjë do të jetë në duar të shkencës për të parë sesi mund të zbardhet kjo çështje.

Çifti shqiptar Shpëtim dhe Teuta Pasho, u vra masakruan në 1-2 Nëntor 2015, trupat e tyre u gjenden në 4 valixhe të ndryshme në afërsi të burgut në Solliciano, në mes të Dhjetorit 2020.