Superpagat e Bordit të ERE-s, kryetari merr dyfishin e pagës së Presidentit, anëtarët 3.8 mln lekë në muaj
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike duket se është nga zyrtarët e rrallë të shtetit, i cili në muaj merr rrogë sa dyfishi i Presidentit, me plot katër milionë lekë të vjetra në muaj.
Por nuk mbetet vetëm këtu. Në vitin 2018 KLSH ka kërkuar të ushtrojë kontroll, por ERE e ka refuzuar, duke deklaruar se përgjigjet vetëm para Parlamentit, e pas kësaj gjithçka ka kaluar vetëm me raporte vjetore.
E në fakt viti 2017 duket se ka shënuar një kapërcim të menjëhershëm të pagave të 5 anëtarëve të bordit të ERE dhe nuk është vetëm kreu i saj Petrit Ahmeti që merr super pagën.
Sipas deklarimeve të bëra në ILDKPI, të ardhurat nga bordi i ERE shkojnë në mbi 45 milionë lekë në vit, ose 3.8 milionë lekë në muaj.
Ndërsa paga e Presidentit, që qëndron në majën e piramidës së rrogave në shtet, të përcaktuar në ligjin e buxhetit të shtetit nuk i kalon 2.7 milionë lekë.
Por ajo çfarë është më e çuditshme, është ndryshimi rrufe i pagave nga jo më shumë se 20 milionë në vit, duke e dyfishuar vetëm për pak kohë, e kjo për të pestë anëtarët, të paktën siç edhe deklarojnë në formularët e dorëzuar nga ata vetë.
Sipas ligjit, rrogat e këtij institucionet përcaktohen prej vetë entit.
Ndërkaq Ora News ka kërkuar të dhëna për shpërblimet dhe pagat e dhëna për punonjësit nga ERE, por deri në momentin e publikimit të lajmit ende asnjë përgjigje.
ERE rezulton të jetë institucioni i vetëm që nuk pranon auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në raportin e vitit 2018 mbi situatën në KESH thuhet se ERE ka shkaktuar një dëm të lartë me vendimet e marra.