Prej 2 vitesh në barake, 48-vjeçarja kërkon banesë sociale, bashkia Tiranë nuk i jep zgjidhje

Komuniteti rom po përballet me vështërsi të shumta në këto ditë me shi. Një prej tyre  është dhe Liljana Mehmeti, e cila prej dy vitesh jeton në një barake ku pothuajse mungon gjithçka. Ajo kërkon ndihmë nga bashkia Tiranë për zgjidhjen e jetesës së saj.

Liljana Mehmeti prej më shumë se dy vitesh jeton në këtë barake në pritje të një lajmi se do të përfitojë shtëpi sociale nga bashkia Tiranë.

Edhe pse ka aplikuar deri më tani ende nuk ka marrë një përgjigje.

"Nuk kemi mbështetje, na kanë thënë që do të na japin shtëpitë këtej nga rrulotat. Kam dy vite që e ikam bërë këtë barake."

Jetesa e saj ka qenë prej vitesh e vështirë pa kushtet minimale.

"Gjithandej fryn, jetë e vështirë."

48-vjeçarja thotë se për shkak të varfërisë tentoi të kërkonte azil në një nga vendet e BE, por pa mundur ta përfitojë.

"Ika tre vjet në azil në Gjermani, u ktheva se nuk më pranuan."

Në barakën e sajuar diku në Tufinë ajo na tregon edhe peripecitë që po kalon në këto ditë me shi.

"Balta futet brenda, laget dysheku."

Apeli i saj shkon për kryebashkiakun Veliaj që ta ndihmojë me premtimin që dikur vetë ai ua ka dhënë.

"I lutem Erion Veliaj të na ndihmojë, të marrim shtëpi, barakja pikon."