"Skëterrë, si mos më keq", qytetarët janë mosbesues ndaj shëndetësisë

Prej vitesh sistemi i shëndetësisë ka patur problematikat e veta por gjendja e jashtëzakonshme e pandemisë dhe menaxhimi i saj krijoi tension tek popullsia duke bërë që të bjerë ndjeshëm besimi për mirëfunksionim.

Pandemia ka thelluar edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve tek sistemi i shëndetësisë në Shqipëri.

Qytetarë të shumtë shprehen të pakënaqur nga shërbimi që klinikat apo qendrat spitalore japin.

"Zero, nuk ka besim. Kemi përjetuar ngjarje që nuk do të donim ti përjetonte kush."

"Shëndetësia në shtet është copë-copë".

"Skëterrë, si mos më keq."

Një pjesë e tyre thonë se e shohin veten të pashpresë nëse do të mbeteshin në dorë të këtij sistemi.

Ndaj, sipas tyre ata që kanë mundësi financiare kërkojnë shërbimin shëndetësor jashtë vendit.

"Shyqyr Zotit e kam mundësinë për të shkuar jashtë shtetit, po këta të tjerët që humbin jetën. Ka njerëz që kanë para dhe u bëhet hyzmeti deri në fund, ka njerëz në fukarallëk që larg qoftë, humbi jetën. Ky është kapitalizimi informal, të gjithë bëjnë eksperimente me këtë popull."

"Ka njerëz të mirë që duan të punojnë dhe e duan vendin, po ka shumë të tjerë që kanë përfituar shumë dhe vazhdojnë të përfitojnë."

Në këtë situatë të pandemisë së Covid-19, shumë qytetarë ankohen se ata që nuk kanë të ardhura mjaftueshëm kanë humbur edhe jetën, ndaj thirrja e vetme që i drejtohet qeverisë dhe këtyre institucioneve është më shumë vëmendje dhe barazi në trajtimin e qytetarëve.