“Kreu veprime arbitrare”, në gjykatë një nga policët që rrahu 15-vjeçarin te liqeni i Tiranës
Një nga efektivët e policisë që dhunuan 15-vjeçarin në maj të vitit të shkuar tek zona e liqenit të Tiranë ka përfunduar në gjyq me akuzën e veprimeve arbitrare gjatë kryerjes së detyrës. Gjyqtari i çështjes nuk ka pranuar ndërkohë kërkesën e avokatit për klasifikim të veprës si “plagosje e lehtë me dashje”. Ngjarja e Çobos bëri shumë bujë në media, ku drejtori i Policisë bëri publike pamje të cënimit të integritetit të nënës së të miturit.
Njëri nga këta efektivë të policisë së rendit që shikoni në video, të cilët ushtruan dhunë ndaj një 15-vjeçari në zonë e Liqenit në maj të viti të shkuar, ka përfunduar në gjykatë pasi akuzohet për veprime arbitrare.
Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Migena Laska, e cila refuzoi të cilësojë ngjarjen si plagosje e lehtë, kërkesë e depozituar nga avokati i të miturit.
Ngjarja në fjalë u regjistrua gjatë kohës së karantinës, kur këta efektivët policie tentuan të ndalojnë adoleshentin, duke e qëlluar dhe duke i shkaktuar plagë në trup.
Ngjarja më pas vijoi me një rast të paprecedent nga drejtori i Policisë së Shtetit, i cili në Komisionin e Sigurisë publikoi para deputetëve një video ku shfaqej nëna e adoleshentit, Zaida Çobo, duke përdorur armë zjarri.
Ardi Veliu: Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA. Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë.
Më pas u vërtetua se pamjet filmike të bëra publike nga drejtori i Policisë Veliu, ishin skena në një film dhe arma e përdorur ishte pistoletë lodër.
Ky veprim u konsiderua nga Zaida Çobo si cenim i integritetit të saj ndërsa paralajmëroi se do bënte kallëzim ndaj Ardi Veliut, por disa ditë më vonë ai i kërkoi falje dhe ata gjetën gjuhën e përbashkët.
Çobo u prit nga Veliu në zyrën e tij, ndërsa më pas u punësua dhe si efektive policie.