“2 mln lekë për kurimin e Covid”, pensionistja: Zero ndihmë nga shteti, as tamponin nuk ma bënë
Shefi i Kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti, ka vizituar ditën e sotme një pensioniste që ka kaluar Covid-19, shqetësimi i të cilës është mungesa e ndihmës nga institucionet shtetërore. E moshuara, Asime Çela, tregon se askush nuk ka ardhur për t’u bërë tamponin, pavarësisht se kanë kërkuar, ndërkohë që shton se shpenzimet për terapinë mjekësore kanë kushtuar shumë.
Asime Çela është një nënë pensioniste që pak muaj më parë është përballur me Covid-19.
Në një bisedë me shefin e Kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti, zonja Çela tregon vështirësitë e mëdha në këtë përballje, ndërsa thotë se asnjë prej institucioneve shëndetësore nuk ka ofruar asnjë lloj ndihme, megjithëse i ka telefonuar kur gjendja ka qenë e rënduar.
Asimeja thotë gjithashtu se kurën e ilaçeve e ka blerë me lekët e veta dhe me ndihmën e fëmijëve, pasi me pension është e papërballueshme kostoja prej 2 milionë lekësh.
Asime Çela denoncon dhe thotë se pavarësisht se ka telefonuar disa herë në numrat e vënë në dispozicion, as tamponin nuk ka shkuar njeri ta bëjë.
Pjesë nga biseda mes Telitit dhe pensionistes:
Dorian Teliti: Sot jemi në shtëpinë e zonjës Asime Çela. Një zonjë e nderuar, e cila si shumë nëna, gjyshe, kanë kaluar vështirësitë dhe janë përballur me COVID-19. Kjo është një histori e vërtetë për të cilën zonja Asime do të na tregojë diçka më shumë.
Asime Çela: Në 7 nëntor më ra kjo. Po më ra jashtëzakonisht rëndë, me temperaturën 40, isha në atë botë fare. Vajza e kaloi, edhe vajza me dhëndrin me fëmijët, e kaluan, por e kaluan më lehtë. Megjithatë, merr në telefon këtu e merr urgjencën, merr doktoreshën e lagjes, atë të familjes që themi neve dhe absolutisht asnjë germë fare nuk lëvizën.
Dorian Teliti: Erdhën jua bënë tamponin?
Asime Çela: Jo! Jo, jo!
Dorian Teliti: Nuk jua kanë bërë tamponin?!
Asime Çela: Asnjërit. Asnjërit. E kemi shkruajtur emrin. Ku e shkruajtën emrin? Në hënë mbase e kanë shkruajtur. Edhe sa të zbres që andej, ne ishim të mbaruar.
Dorian Teliti: Pra, juve nuk ju erdhi dikush t’ua bëjë tamponin?
Asime Çela: Jo, jo, jo. Asnjë, asnjë, asnjë!
Dorian Teliti: Ilaçet sa ju shkuan?
Asime Çela: Ilaçet të them të drejtën, ne morëm doktorin nga Spitali Amerikan, privati, vizitë 200 mijë lekë. Ndërsa infermierët dhe infermieret morën, domethënë për 7 ditë, morën 650 mijë lekë, paradite dhe pasdite që vinin më bënin serumin, oksigjenin, oksigjenin e vendosja vetë se e kisha aparatin aty afër, e bëja vet. Po serumin vinin ata dy herë në ditë dhe plus që në serum hidhnin ato mjekimet, se mora në farmaci një trastë me ilaçe.
Dorian Teliti: Të tëra vetë i pagove?
Asime Çela: Të gjitha, të gjitha vetë.
Dorian Teliti: Ndihmë nga shteti zero..
Asime Çela: Asnjë njeri, asnjë fare, asnjë shpenzim. 60 domethënë 650 mijë lekë unë, 47 mijë lekë më bënë domethënë 280 mijë lekë të vjetra se 28 janë 280 mijë lekë. Ilaçe këtu, ilaçe këtu nuk di të të tregoj.
Dorian Teliti: Sa të shkuan në total ilaçet?
Asime Çela: 2 milionë.
Dorian Teliti: Pra gjithë shpenzimet që pate për t’u kuruar.
Asime Çela: 2 milionë lekë, 2 milionë.
Dorian Teliti: Ilaçe, trajtimi.
Asime Çela: Një debolesë e jashtëzakonshme, më dridheshin duart, më dridhej trupi i gjithë dhe nuk mori parasysh as doktoresha e lagjes, mikja e jona e familjes, fare, fare, fare.
Dorian Teliti: Sa e ke pensionin?
Asime Çela: Unë e kam 175 mijë lekë.
Dorian Teliti: Po të mjaftojnë këto para apo të ndihmuan fëmijët?
Asime Çela: Më ndihmuan fëmijët, tani me 175 mijë lekë të paguash infermiere e doktor, jo nuk ka mundësi.