Korçë: Fshati Panarit i izoluar prej 10 ditësh

Zona e Panaritit në Korçë mbetet e bllokuar prej gati dy javesh si pasojë e ngricave që pasuan reshjet e dëborës në juglindje. Gazetarja e Ora News Iris Rezhda ishte në fshatin ku në këto kohë nuk shkojnë përfaqësuesit e shtetit dhe na sjell jetën e vështirë mes borës e akullit.

Fshati Panarit ndodhet 50 km larg qytetit të Korçës është një zonë shumë e thellë malore dhe reshjet e borës aty janë të shumta.

Malet e mbuluara me dëborë, dhe mungesa e njerëzve në rrugë paralajmëron se rruga deri në Panarit të Korçës do jetë e vështirë.

Trashësia e dëborës arrin në 1.5 metër dhe 35 familje në këtë fshat janë bllokuar totalisht prej 10 ditësh.

Makinat mund të shkojë deri në fshatin Vithkuq. Akulli mbi asfalt e bën të pamundur lëvizjen e mjeteve më tej.

Ndaj ekipit të Ora News iu desh ta vazhdojë rrugën në këmbë. Duhet më shumë se një orë rrugë në këmbë për të mbërritur deri në fshatin Shtyllë. Edhe aty mbizotëron e bardha e borës.

Vetëm tymi qe del nga kulmet e shtëpive tregon se brenda ka jetë.

Nga Shtyllasi për në Panarit duhen edhe të paktën 2 orë e gjysmë rrugë në këmbë, sic tregon një banor i fshatit ku në këto kohë nuk shkon shteti.

"Bora shkon 1 metër, me sakrifica me të keq i marrim masat pa ardhur dimri ushqime, ilaçe autoritetet kanë ndërhyrë para disa javësh ka qenë e hapur rruga po u bllokua nga reshjet e fundit" shprehet një banor.

Me dëborën që në disa vende arrin deri në 1.5 metra e rrugët nën pushtetin e akullit, të bllokuar e të harruar, banorët janë mësuar tja dalin vetë.

"Më këmbë më makina s'bëhet fjalë ka 10 ditë në këtë gjendje banorët i kanë marrë masat" shprehet një tjetër banor

Të paplanifikuara kanë vetem urgjencat që i bëjnë të ecin të paktën tre orë në këmbë, ndaj thirrja për institucionet është vetëm një.

" Banorët dalin në këmbë nëse kanë raste emergjence që nga Trebicka. Hapni rrugën"

Kjo është një situatë e përsëritshme çdo vit në këtë zonë vetë banorët kanë thënë se marrin masat për ilaçe, ushqime për 4 muaj që ata qëndrojnë të izoluar. Në Panarit jetojnë rreth 200 banorë.