Me bereqet spitali “turk” i Fierit, Rama kërkon nga kompania punësimin e të shpronësuarve të tokës

Kryeministri Rama ka inspektuar nisjen e punimeve për spitalin e fierit të investuar nga shteti turk. 30% e të punësuarve do të jenë shqiptarë ndërsa Rama i kërkoi kompanisë turke që të punësojë pronarët e shpronësuar. Ndërsa Manastirliu zbuloi se në këtë spital do të ofrohet shërbim edhe pacientët me Covid.

Pasi qeveria shqiptare u dakordësua me 12 pronarët për kompensimin e pronës, kompania turke ka hapur kantierin për ndërtimin e spitalin rajonal të Fierit, i cili do të financohet nga shteti turk. 

Presidenti Erdogan i premtoi Edi Ramës se spitalin do ta ketë gati për 3 muaj, para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Për ndërtimin e këtij spitali me një vlerë rreth 70 mln euro do të punësohen rreth 1200 punëtore, por vetëm 30% e tyre do të jenë forca krahu nga Shqipëria. Por gjatë inspektimit të punimeve në Fier, Kryeministri Rama kishte një kërkesë specifike për kompaninë turke.

“Familjeve që janë shpronësuar dhe me mirëkuptim duhet ti takosh dhe tu ofroni mundësinë të punojnë këtu, në çfarëdo lloji punësimi, nga roje kantieri tek punëtor, e teknik sepse nuk e di aftësinë që kanë. Unë dua që të kontaktosh dhe tu marrësh të dhënat. Të flasim dhe me kompaninë pastaj duan s’duan është puna e tyre. Nëse duan të punojnë të punojnë. Ata janë të parët në listë” i tha Rama një përfaqësuesi i cili po e shoqëronte kryeministrin gjatë këtij inspektimi” u shpreh Rama.

Ndërkohë  Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në këtë spital të ri do të ofrohen të gjitha shërbimet, madje edhe një pavion i veçantë për pacientët e infektuar me covid 19.

"Ne kemi përfunduar të gjithë projektin, anën teknike mjekësore në të gjithë spitalin. Kemi përfunduar me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë të gjithë detajin teknik për pajisjet. Tani do kalojë dhe marrëveshja në Këshillin e Ministrave. Shërbimet janë përcaktuar nga ekspertët e dy palëve. Është me të gjitha shërbimet, do përfshihen nga shërbimi i Urgjencës, ORL-së, okulistikës, kirurgjia që do ketë të përfshirë dhe një departament për kirurgjinë speciale. Do përfshihet dhe pavioni i sëmundjeve infektive, një pavion COVID që do na nevojitet për rritjen e kapaciteteve spitalore.”

Reshjet e shiut gjatë inspektimit të kantierit të ndërtimit, Edi Rama i ka cilësuar si shenjë pozitive nga zoti.

5000 metra katrorë do të shërbejnë për ndërtimin e këtij objekti spitalor,  nga ku 3 mijë metra katrorë do të ndërtohen ndërsa pjesa tjetër ambiente ndihmëse për parkim.