Ekstradohet në Itali Çekini, i akuzuar si pjesë e klanit "Ndragheta"
Një 49-vjeçar i dyshuar si pjesë e grupit mafioz Ndragheta është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë për trafik ndërkombëtar droge. Krahas tij nga Bullgaria u ekstradua në Shqipëri dhe një shtetas turk që akuzohet se bënte pjesë në një rrjet kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
Një shqiptar i dyshuar si pjesë e grupit mafioz "Ndrangheta", është ekstraduar nga Shqipëria për në Itali, pasi ishte i shpallur në kërkim për pjesëmarrje në organizate mafioze dhe trafik ndërkombëtar droge.
Ardian Çekini 49-vjeç, u arrestua në maj të vitit të shkuar në qytetin e Elbasanit, ndërsa në një tjetër operacion u kap dhe bashkëpunëtori i tij Bujar Sejdini i njohur me nofkën "Xhaxhai".
49-vjeçari konsiderohet si pikë referimi e "Ndranghetas" kalabreze në Ballkan dhe njeriu kyç që lidhte aferat kriminale të familjes Belloço me trafikantët e drogës në Spanjë e jashtë kufirit italian.
Hetimet e Antimafias kanë zbardhur se familja kalabreze Belloço importonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut e në veçanti nga Costa Riça e Argjentina.
Ardjan Çekini dhe Bujar Sejdinaj, dyshohen se kanë vepruar në të njëjtin grup kriminal, duke u përfshirë në trafikun e kokainës.
Ndërkohë nga Interpol Tirana është bërë dhe ekstradimi për në Shqipëri i një shtetasi turk i cili ishte shpallur në kërkim në Shqipëri dhe është arrestuar në Bullgari.
49-vjeçarit Rexhep Ipek i është caktuar nga gjykata e krimeve të rënda "arrest me burg" për trafik droge.
Ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të cilët kanë kryer trafik të lëndëve narkotike.
Ata fillimisht siguronin fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin.
Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku anëtarët e grupit kishin krijuar rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.
Sipas të dhënave rezulton se Ipek banues në Durrës ka shtetësi shqiptare, pasi ka qenë i martuar me një shtetase shqiptare.