Të drejtat e njeriut dhe COVID-19, eurodeputetët dënojnë masat e regjimeve autoritare

PE është thellësisht e shqetësuar për regjimet autoritare në të gjithë botën që e kanë përdorur pandeminë për të shtypur shoqërinë civile dhe mendimin ndryshe.

Në raportin vjetor për vlerësimin e situatës së të drejtave të njeriut në botë, miratuar të mërkurën, eurodeputetët theksojnë se disa regjime autoritare kanë përdorur pandeminë për të justifikuar masat e tepruara që synojnë minimin e parimeve demokratike dhe lirive themelore, duke minuar seriozisht të drejtat e njeriut, për të shtypur ata që mendojnë ndryshe dhe për të kufizuar hapësirën për veprim të shoqërisë civile.

Aspirata në rritje dhe mobilizimi i qytetarëve


Deputetët theksojnë aspiratat në rritje të qytetarëve evropianë, dhe veçanërisht të brezave të rinj, të cilët po mobilizohen për të sjellë ndryshime politike dhe shoqërore në mbështetje të të drejtave të njeriut, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë sociale, si dhe për veprim më ambicioz për klimën dhe mbrojtjen më efektive të mjedisit.

Forcimi i institucioneve demokratike


PE i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare të vazhdojnë të mbështesin forcimin e institucioneve demokratike dhe proceset zgjedhore transparente dhe të besueshme në të gjithë botën, për të luftuar kundër mosndëshkueshmërisë, për të siguruar që organizatat e shoqërisë civile të vazhdojnë të punojnë dhe për të luftuar pabarazitë.


Eurodeputetët gjithashtu nxisin vendet e BE të zhvillojnë një strategji për t'iu kundërvënë tendencës në rritje të shteteve për t'u tërhequr dhe rezistuar ndaj standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mekanizmi i sanksioneve të BE-së për të drejtat e njeriut


PE shtyn për zbatimin urgjent të regjimit të ri gjithëpërfshirës të sanksioneve të BE në fushën e të drejtave të njeriut, si një pjesë thelbësore e instrumenteve ekzistuese evropiane në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe politikës së jashtme. Një mekanizëm i tillë duhet të shërbejë për të forcuar rolin e BE-së si një aktor global i të drejtave të njeriut duke lejuar sanksione të shënjestruara kundër individëve, autoriteteve shtetërore dhe jo-shtetërore dhe enteve të tjera përgjegjëse ose madje bashkëpunëtore në shkeljet serioze të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Teksti jo-legjislativ u miratua me 459 vota pro, 62 kundër dhe 163 abstenim.


Gjatë fjalës së saj, raportuesja Isabel Santos u shpreh: "Si anëtarë të Parlamentit Evropian, është detyra jonë që të flasim me zë të lartë dhe në mënyrë të qartë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe nevojës për të njohur dhe për të mbrojtur të gjithë ata që punojnë pa pushim dhe në situata të vështira. Për të fituar kredibilitet si Bashkim Evropian, është thelbësore që të flasim dhe të veprojmë me një zë të fortë për të drejtat e njeriut. Ne nuk duhet të zhgënjejmë ata që shikojnë me shpresë Evropën ”.

Eurodeputetët diskutuan përmbajtjen e raportit të ri me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell në 19 Janar. 

Teksti u përgatit fillimisht nga anëtarët e Nënkomitetit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.